Të lindësh në një shekull e të ndërrosh jetë në një shekull tjetër, do të thotë se ke pasur fatin të përjetosh ngjarje dhe të jesh pjesëmarrës në zhvillimet e tyre, qoftë edhe si një qytetar i thjeshtë. Në këto rrethana ka jetuar edhe Dhimitër Kapidani, banori që lindi dhe banoi deri në vdekje në lagjen Kala në zemër të Elbasanit, pranë kishës Shën maria”.

Ishte një nga trashëgimtarët e familjes Kapidani të mirënjohur në këtë lagje.
Mbaroi shkollën fillore greqisht në shkollën e Kalasë dhe 7-vjeçaren e mbaroi turqisht po në këtë lagje. Më pas në vitin 1909, shkoi në gjimnazin e Manastirit ku studiohej në gjuhët frëngjisht, turqisht, greqisht dhe latinisht.

Për shumë rrethana të kohës nuk e vazhdoi shkollën e lartë siç e kishin traditën pjesëtarët e komunitetit ortodoks të kësaj lagjeje. Gjuhën shqipe e mësoi privatisht në shtëpi me mësues gjuhëtarin e mirënjohur Aleksandër Xhuvanin.

Që nga viti 1910 dhe deri në fund të jetës së tij mbeti një zanatçi, teneqexhi. Ishte personifikimi i një njeriu që i jeton mes këngës dhe humorit. Hokatar dhe shumë I lirshëm në mardhëniet me njerëzit shquhej për afinitetin e tij për kostumet popullore.

Në vitin 1912, ka qenë përkrah nënshkruesve të pavarësisë së Elabsanit së bashku me personalitetet e tjera të lagjes kala. Një vit më pas mori pjesë në luftën për mbrotjen e Shkodrës nga ushtritë malazeze bashkë me luftëtarë të tjerë nga trevat e Elbasanit dhe Librazhdit.

Gjatë Luftës Parë Botërore, në vitin 1915, kur në Elbasan erdhën forcat e koalicionit Austro-Hungarez, mbahet mend se Dhimitër Kapidani ka bashkëpunuar me mjekun çek Jovan Drobek, i cili ishte doktori i ambulancës ushtarake që u vendos në katin e parë të shkollës së kalasë pranë kishës.

Gjatë kësaj kohe ndihmonte çdo njeri që kishte nevojë për vizitë tek ky mjek, duke e udhëzuar atë për qytetarët që ishin në gjendje të vështirë.
Jeta e tij është e mbushur me aktivizim në jetën publike dhe shoqërore si dhe në rrethet muzikore të kohës.

Si gjatë Mbretërisë edhe gjatë diktaturës, punoi si teneqexhi, derisa doli në pension duke ruajtur profilin e tij si një njeri hokatar dhe që shikonte punët e tij pa u përzierë me politikën.
Mbahet mend prej tij veshja me kostum popullor të dielave dhe festave kombëtare, gjë që binte në sy dhe shikohej me kërshëri nga qytetarët dhe vizitorët që vinin në Elbasan.

Dhimitër Kristo Kapedani kishte një djalë, Markun dhe një vajzë, Violetën. Marku nga ana e tij pati katër djem, Dhimitrin, Kristaqi, Vangjelin, Eduartin dhe një vajzë, Marjetën.

Punoi Hyqmet ZANE