Dhaskal Dhimitri lindi në Elbasan në vitin 1863, në familjen e një sheqerxhiu.

Mësimet e para fillore i  mori në shkollën greke të qytetit. Tregoi interes të veçantë për mësimet dhe kjo bëri që të studionte në Greqi, në Shkollën Normale të Athinës, të cilën e përfundoi me sukses në vitin 1885.

Në po të njëjtin vit kthehet në Elbasan, ku fillon punë si mësues në shkollën greke të lagjes Kala. Iu përkushtua me zell profesionit të tij, në të cilin u mundua të sillte vazhdimisht risi në metodat e të mësuarit. Për herë të parë përdori shkronjat lëvizore, të cilat i kishte krijuar vete me copa dërrasash. Bashkëtingëlloret i kishte bërë me ngjyrë të zezë, kurse zanoret me të kuqe e me to formonte rrokje, fjalë e fjali, me anë të të cilave u mësonte nxënësve të tij shkrim e këndim.

Mësonte po ashtu edhe muzikën. Njihte mire muzikën moderne dhe atë bizantine. U mësonte nxënësve të kënduarit me dy zëra dhe shoqërimin e këngës me instrumentin e violionës.

Punoi si mësues për pak kohë edhe në shkollën fillore të lagjes Shënkoll.

Në vitin 1909, me hapjen e Shkollës Normale, filloi punë në Normalen e Elbasanit si mësues i muzikës dhe fiskulturës. Po ashtu ishte edhe në pozicionin e anëtarit të këshillit të kontrollit të shkollës, që merrej me mbarëvajtjen dhe rezultatet e saj.

Lajmi që ai ishte larguar nga shkolla greke, nuk u prit mirë nga dhespoti, i cili e mori këtë si një akt tradhëtie dhe shteti grek e dënoi në mungesë.

Në vitin 1913 – 1914 punoi si mësues në shkollën amerikane në Elbasan.

Nga viti 1914 – 1916, për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore mbeti pa punë, për arsye se shkollat nuk funksionuan siç duhej.

Nga viti 1916 – 1928 ishte mësues dhe drejtor në shkollën Plotore.

Gjatë punës së tij e ndeju shumë mungesën e teksteve, sidomos në dialektin elbasanas dhe për këtë arsye ai vete hartoi një tekst në vitin 1909 – “Abetar për shkollat fillore meshkujsh e femrash në ligjërojë t’ Elbasanit”, të cilin e botoi të përmirësuar në vitin 1918.

Në po të njëjtin vit botoi edhe një libër, që përmbante njohuri bazë për të mësuarit në klasa të ndryshme, i cili u përdor si libër për të gjitha shkollat e Shqipërisë deri në vitin 1940.

Në vitet e fundit të jetës la një dorëshkrim për klasat e 6 – ta, të cilin nuk arriti t’a botonte.

E njihte mirë Kristoforidhin dhe fjalorin e tij. U mundua që të mbidhte fjalë edhe vetë e u interesua për format gramatikore, por nuk arriti të shkruante diçka lidhur me këtë.

Për shkak të shëndetit të tij jo të mirë u detyrua të dilte në pension dy vite para se të vdiste.

Ndërroi jetë më 8 nëntor të vitit 1930, në moshën 67 vjeçare. Do të njihet e mbahet mend gjithmonë si një ndër mësuesit e parë të qytetit dhe Shkollës Normale.

Pas vdekjes, në vitin 1954 u nderua me titullin “Mësues i Merituar”.

Emrin e vërtetë e ka pasur Dhimitër Papajani, por e thërrisnin Dhaskal Dhimitri, që do të thotë mësues Dhimitri (nga fjala greke “dhaskal” – mësues).

Foto nga varrimi i Dhaskal Dhimitrit, në vitin 1930.

Foto nga varrimi i Dhaskal Dhimitrit, në vitin 1930.