Demir Hyskja u  lind më 1 janar 1937, në qytetin e Elbasanit.

Demir Hyskja pranë portretit të tij.

Demir Hyskja pranë portretit të tij.

Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes.

Në vitet 1951-1955 përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit. Punoi si teknik ndërtimi në vitet 1955-1962.

Gjatë kësaj kohe u aktivizuar si diletant pranë Shtëpisë së Kulturës Elbasan, në pjesët: “Lulja e Kujtimit”, “Zhorzh Dante”, “Të rinjtë” dhe opereta “Vajza e portokalleve”.

Me hapjen e Teatrit profesionist, bëhet një ndër aktorët e parë profesionistë, të teatrit “Skampa”, në të cilin luajti për 30 vite rresht.

Gjatë këtyre viteve luajti 50 role kryesore. Njëkohësisht, u aktivizua edhe në kinematografi, pranë kinostudios “Shqipëria e Re”, ku ka realizuar 24 filma artistikë dhe dokumentarë.

Vlejnë të përmenden disa prej roleve të tij  në teatër si: roli i Marashit tek drama “7 Shaljanët”, Fjordori tek “Trumbetierja”, Veliu tek “Udha e Zavalinajve”, Bujari tek “Sinjalet e Natës”, Kapedani Jonuz Bruga tek “Familja e Peshkatarit”, Gjeta tek “Cuca e Maleve”, Hodo Zinani tek “Hakmarrja e Madhe”, Banushi tek “Doktori Pacient”, Gabo Kapllani tek “Shpagimi”, Ramë Ulnikaj tek “Tokë e Ndezur”, Harbert Gordon tek “Engjëjt e Skëterrës”, Ben Habart tek “Nëpërka”, Henku tek “Vdekja” (roli i tij i fundit) etj.

Luajti në filmat: ” Ngjadhnjim mbi vdekjen”, “Kur zbardhi një ditë”, ” Në fillim të verës”, ” Një udhëtim i vështirë”, “Përtej mureve të ngurta”, ” Dëshmorët e monumenteve”, ” Nëntori i Dytë”, “Hije që mbeten pas” etj.

Për talentin, përkushtimin dhe punën e tij ndër vite është dekoruar me dekorata të shkallëve të ndryshme.

Në vitin 1969 nderohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 nderohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”.

Ka marrë edhe urdhërin e lartë “Naim Frashëri i Klasit të Parë”.

Është shpallur “Qytetar nderi i Elbasanit”.

Është zgjedhur katër herë radhazi deputet në Kuvendin Popullor, para viteve ’90.

Ndërroi jetë në 6 gusht të vitit 2016, në Elbasan.

Demir Hyskja në rolin e tij të fundit, në dramën "Vdekja".

Demir Hyskja duke luajtur në teatër, në një nga rolet e tij të fundit.