Çeta-e-Bushekut

“Ishte gushti i vitit 1912. Patriotët e Elbasanit kur e panë se kryengritja po përhapej në tânë Shqipninë, thirrën nji mbledhje e cila u mbajt në nji vend të mçefët, pranë katundit Kryezjarrth.  Këtu murën pjesë: Ahmed Dakli, Ali Hysen Çaushi, Ali Çelirama, unë e të tjerë. Në mbledhje u diskutue për organizimin e nji kryengritje t’armatosun në zonën e Elbasanit, në bashkëpunim edhe me kryengritësit e krahinave të tjera të Shqipnisë. Mbledhja vendosi të formoheshin çeta në të gjitha anët e trevës së Elbasanit dhe për këtë punë, të ngarkoheshin ata patriotë që njifeshin mâ mirë me katundarët e asaj ane e që kishin me ta miqësi familjare. Aty për aty i ‘damë  krahinat ku do të vepronim. Në Shpat dhe në Martanesh u caktuan Ali Çelirama, Ahmed Dakli, Ali Hysen Çaushi, unë e të tjerë. Këta patriotë Ishin bektashinj dhe mâ të shumtët e fshatarëve të Martaneshit ishin të këtij tarikati. Teqja e Martaneshit ka patur influencë të madhe në tânë krahinën. Mjerisht nuk e mbaj mend emnin e atij patrioti që u caktue të formojë çetën në fushë. Të gjitha këto çeta do të kishin nji udhëheqje të vetme. Çetat e krijueme, para se me fillue luftën, u mblodhën në Kryezjarrth. Në mbledhje u shpjegue qëllimi i kryengritjes së përgjithëshme.”

Mblodhi: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, nëntor 2014, “Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912”, Instituti I Historisë, fq. 465.