Busheku është një vend piktoresk buzë lumit Shkumbin, 4-5 km në juglindje të Elbasanit, pranë fshatit Shushicë. Në mes të fushës ndodhet nje masiv i vogël shkëmbor dhe nga brendia e tij nëntokësore buron prej shekujsh një rrymë uji e ftohtë, e lehtë dhe e këndëshme për t’u pirë. Hijet e rrepeve shumë të vjetër pranë këtij burimi, të ndjellin kurdoherë për pak shlodhje. Ky vend ka shërbyer prej motesh nga qytetarët e Elbasanit për piknik (teferryç). Kohës së verës kur lumi sillte pak ujë, gjindja nisej në këmbë dhe pasi përshkonte fushën e Bejlerbeut, ndalonte në Bishtin e Krastës dhe që aty këmbëpërveshur kaptonin lumin në një va e hidheshin në Bushek.
Thuhet se në shek. XV, ushtria osmane nën komandën e sulltan Mehmetit -II- Fatih që ishte nisur nga Manstiri për të rrethuar për herë të dytë Krujën, bëri ndalesën e radhës në fushën e Shushicës. Aty, ata ngritën kampin pasi vendi është me të vërtetë strategjik dhe i mbrojtur. Në këtë fushë ata kishin ujë me bollëk për të pirë dhe për t’u larë, kullota për kuajt, si dhe kjo fushë është e rrethuar nga male të lartë nga jugu, ndërsa tre anët e tjera të horizontit i përfshin shtrati i lumit që kontrollohej në distancë të largët.
Por, cili është kuptimi i fjalës Bushek?
Albanologu gjerman Franz Babinger e lidh këtë fjalë me emrin e një fisi vendas “Buzerseq”, që në shek. XV ndodhej në fshatin Valmas.
Ndërsa kronikani osman Evlija Çelebiu që ka vizituar Elbasanin në vitin 1670, thotë se “bushek” rrjedh nga persishtja “buzurq-senq”, që do të thotë: “gur i madh”.
Në dokumentat vendore osmane të shek. XVII-XVIII ky fshat është shkruar: “Buzeseki” dhe “Bushek”.

Rreth origjinës së fjalës “bushek”, ekziston edhe varianti popullor vendas, sipas të cilit kjo fjalë ka lindur nga togfjalëshi “buzë shelgut”.

Përgatiti: Bukurosh Dylgjeri, Elbasan, janar 2014.