Bukurosh Sejdini, atdhetar, artist i skenës, veprimtar shoqëror, lindi më 28 korrik 1916 në Elbasan, në një familje avokati.

Mësimet e para, deri në klasën e pestë dhe tre vjet të shkollës Normale i bëri në qytetin e lindjes. Më pas, falë talentit të tij, shkon në Tiranë dhe vazhdon shkollën e vizatimit ku veçohet nga nxënësit më të talentuar.

I nxitur nga piktori Andrea Kushi, bëri që Bukurosh Sejdini të vazhdontë rrugën e artit dhe shkoi në Rumani për studime në Akademinë e Arteve të Bukura, por atje për arsye të kushteve politike që u krijuan i ndërpreu studimet, për t’i vazhduar në Akademinë e Arteve në Itali.

Mori diplomën dhe në vitin 1942 u kthye në atdhe, duke marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste, deri në çlirimin e vendit. Gjatë kësaj kohe, për veprimtarinë e tij antifashiste arrestohet disa herë dhe internohet në Porto – Romano. Atje, së bashku me shokë të tij, nxjerrin buletinin ilegal “Shkopi”. Bukurosh Sejdini bën grafikën për faqen e parë të këtij buletini; duke u cilësuar nga kritika se është ndër piktorët e parë të grafikës partizane. Punon në disa shkolla si mësues vizatimi, si në shkollën Normale, “Naim Frashëri”. Është dalluar si mësuesi i pasionuar, që ndihmonte talentet e reja dhe nga duar e tij kanë dalë shumë piktorë që kanë përfaqësuar kulturën shqiptare brenda e jashtë vendit. Kohën më të gjatë si mësues i vizatimit e ka kaluar pranë shkollës Normale, duke qëndruar më shumë se 20 vjet rradhazi, deri në daljen e tij në pension.

Në vitin 1949, u emërua në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si shef i sektorit  të Arteve figurative, por qëndroi pak kohë, pasi me dëshirën e tij u kthye në Elbasan. Ishte në natyrën e tij, që çfarëdo përgjegjësie t’i jepnin, nuk mund të qëndronte larg Elbasanit.

Bukurosh Sejdini, ishte amator i teatrit, ka interpretuar me sukses komedinë “Revizori”, “Prefekti”, “Motori:, në operatat “Vajza e Portokalleve”, “Trembita”, si edhe në dy filma artistikë.

Bukurosh Sejdini në pikturë ka pasqyruar përpjekjet e luftës së popullit shqiptar për liri, pavarësi e përparim shoqëror.  Ka dhënë ndihmesën e tij me sukses në të tria gjinitë e pikturës. Vepra e tij “Agimi i 17 nëntorit 1944”, është një nga veprat më dinjitoze të pikturës shqiptare. U krijua në vitin 1957 dhe në vitin 1958, përfaqësoi në Moskë, artin shqiptar. Kjo tablo është prodhuar në kartolinë dhe ka hyrë në Enciklopedinë franceze, si përfaqësuese e pikturës shqiptare të viteve ’50.

Është autor i shumë tablove kompozicionale, portrete, peisazhe, natyrë e qetë, veprave në skulpturë, të cilat ndodhen në Galerinë kombëtare të arteve, në Muzeun kombëtar të armëve në Gjirokastër, në Galerinë e artit të Elbasnait, si edhe në mjedise të tjera social – kulturore. Ishte pjesëmarrës në takimin e Aleksandrisë, Bukureshtit, Budapestit, Sofies, Pekinit, gjatë viteve 1958 – 1959. Vazhdimisht me penel në dorë deri kur vdiq në vitin 1991. Në vitin 1969 iu dha titulli “Mësues i Merituar” dhe në vitin 1979, “Piktor i Merituar”.

Dëshira për të pasqyruar jetën e popullit dhe vlerësimin e punës së tyre të mrekullueshme, e ka frymëzuar gjithmonë piktorin Bukurosh Sejdini. Pjesëmarrja në ekspozitat kombëtare e vendore  që nga fillimi, është në vitet e para të çlirimit.

-Ekspozita vetjake: Ekspozitë retrospektive me rastin e 65-vjetorit të lindjes së tij, 1981, në shtëpinë e Oficerave, në Elbasan. Ekspozite vetjake me rastin e 70-vjetorit të datëlindjes, 1986, në Shtëpinë e Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore në Elbasan.

Pjesëmarrja në ekspozita ndërkombëtare me “Agimi i 17 nëntorit 1944” në Moskë, Bienalen e Aleksandrisë, Bukuresht, Sofie, Moskë, Erevan (1958), Budapest (1959), Pekin, Shangai (1968 – 1969).

Tematika dhe teknika: Tematika ka qenë e larmishme, nga Lufta Nacional çlirimtare, rindërtimi, puna e fshatarësisë, jeta e mjerëzve të thjeshtë, portrete heronjsh dhe atdhetarësh.

Karakterizohen nga një vizatim i saktë dhe kolorit në traditën kombëtare, në teknikën e vajit. Tabloja “Agimi i 17 nëntorit 144” ka hyrë në vitet ’80 në Enciklopedinë Franceze si përfaqësuese e pikturës shqiptare.

Atë  do të merrte nga Enciklopedia Franceze, e cila do ta botonte, si përfaqësuese e pikturës shqiptare, përkrah “Luftëtarit të Lirisë” të Odise Paskalit, përfaqësues i skulpturës shqiptare. Po ashtu prania e  saj në sallën e Nderit të Ekspozitës ndërkombëtare në Moskë plotësojnë njëra – tjetrën. Ajo mbetet tabloja më dinjitoze me vlera artistike që është bërë për Luftën Nacionalçlirimtare. Pra, ky është çmimi i vërtetë, përjetësimi që i bën një vepër kohës. Krahas tablosë me temë historike dhe nga rindërtimi i vendit, Bukurosh Sejdini ka krijuar një varg veprash në portrete heronjsh të luftës dhe të punës.

"Qemal Stafa", Portret i kompozuar nga Bukurosh Sejdini

“Qemal Stafa”, Portret i kompozuar nga Bukurosh Sejdini

Veprat e piktorit Bukurosh Sejdini, të cilat përfshijnë një tematikë të gjërë dhe të larmishme, të marra drejtëpërdrejtë nga jeta jonë, zenë një vend të mirë në pikturën shqiptare. Duke pasur një përmbajtje të thellë realiste, krijimet e “Mësuesit dhe Piktorit të merituar”, kanë luajtur dhe luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin atdhetar dhe estetik të njerëzve tanë.

Punime të “Mësuesit dhe Piktorit të Merituar” Bukurosh Sejdini, gjatë të gjithë kohës deri në muajin dhjetor 1980.

Punime në Pikturë.

  1. “Kostandin Kristoforidhi”, Portret-Lidhja e Artistëve Tiranë, 1951.
  2. “Ndërtimi i Rafinerisë së Naftës, Cerrik”, Peisazh – Durrës.
  3. “Vjelja e Pambukut”, Kompozim – Muzeu i qytetit Elbasan.
  4. “Pamje e Cerrikut”, Peisazh – Teatri “Skampa” Elbasan.
  5. “Kristoforidhi Tue Shkrue”, Kompozim – Muzeu i qytetit Elbasan.
  6. “Kostandin Kristoforidhi”, Portret – Muzei i Arsimit Elbasan.
  7. “Naim Frashëri” Kompozim – Galeria e Arteve Figurative Elbasan.
  8. “Agimi i 17 Nëntorit në Tiranë” – Galeria e Arteve Tiranë 1957.
  9. “Cerriku”, Peisazh – Shkolla Pedagogjike Elbasan.
  10. “Festa e Çlirimit”, Kompozim – Muzeu i qytetit Elbasan.
  11. “Aksion i Rinisë”, Kompozim. Shtëpia e Kulturës Elbasan.
  12. “Qemal Stafa”, Portret i kompozuar – Galeria e Arteve Figurative Tiranë.
  13. “Arsimtari Abedin Çaushi”, Portret – Në familjen e Abdyl Bajraktarit Elbasan.
  14. “Histori e Lavdishme”, Kompozim – Shtëpia e Kulturës Elbasan.
  15. “Beqir Bahja, Veteran i luftës”, Portret – në familjen e tij.
  16. “Sulmi i Skëndërbeut”, Kompozim – Shtëpia e Kulturës Elbasan.
  17. “Kristoforidhi”, Kompozim – Muzeu i Arsimit Kombëtar Korçë.
  18. “Sulm Partizan”, Kompozim – Muzeu i Luftës Elbasan.
  19. “Çermenikasit kundër Tanzimatit”, Kompozim
  20. “Grisja e Flamurit Italian” nga nxënësit e shkollës “Normale” Kompozim – Muzeu i Shkollës Normale.
  21. “Elektrifikimi i Fshatit” – Kompozim.
  22. “Ditë e Re”, Kompozim – Elbasan.
  23. “Porta e Kalasë” – Peisazh.
  24. “Rruga e Sahatit në Lashtësi”, Kompozim
  25. “Vdekja e Fashizmit”, Kompozim – Galeria Artit Tiranë
  26. “Heroi i Popullit Hekuran Pobrati” – Ministria e Punëve të Brendëshme, Tiranë.
  27. “Tarracat e Fëmijëve”, Kompozim – Galeria Artit Tiranë

Punime në Skulpturë

  1. “Skëndërbeu në kalë”, – Kompozim (bocet)
  2. a) Për konkursin e monumentit të Skëndërbeut në Krujë 1949, b)Për konkursin e monumentit të skëndërbeut po në Krujë. Fitues i çmimit të dytë.
  3. “Qemal Stafa”, Bust – Në shkollën “Qemal Stafa” Elbasan.
  4. “Aleksandër Xhuvani” Bust – në muzeun e shkollës Pedagogjike Elbasan.
  5. “Naim Frashëri”, Bust – në shkollën “Naim Frashëri” Elbasan, bashkautor me S. Mullisi.
  6. “Aleksandër Xhuvani”, Bust – Instituti i lartë Pedagogjik Elbasan.