Aktori dhe shkrimtari Besim Lëvonja lindi në qytetin e Elbasanit më 16 mars të vitit 1922 dhe vdiq më 21 qershor të vitit 1968. Aktrimin dhe të shkruarit i mësoi në mënyrë autodidakte.

Veprimtarinë e tij artistike  e filloi në 1942.  Ishte ndër të parët artistë që formuan grupin artistik të teatrit popullor në vitin 1945. Arritjen më të madhe në karriere e arriti me komedinë “Prefekti” në vitin 1948. Ka luajtur role të shumtë në teatër, ndër të cilët përmendim Gjeloshin tek “Votra e huaj”, plakun e urtë tek “Trimi i mirë me shokë shumë”, Tetarefi tek “Mikroborgjezët” etj.

Ka interpretuar edhe në filmat artistikë si: “Toka Jonë” në rolin e rojës, në vitin 1961 dhe “Debatik” në rolin e karrocierit Xha Lymit, në vitin 1965.

Besim Lëvonja në rolin e tij në filmin "Debatik"

Besim Lëvonja në rolin e karrocierit Xha Lymit, në filmin “Debatik”

Për shkakt të prirjeve të tij antifashiste u burgos në vitin 1942. Edhe pse në heqje lirie kurrë nuk hoqi dorë nga krjimtaria e tij, të cilën e vazhdoi edhe më me dinamikë pas daljes nga burgu, duke shkruar edhe komedinë e famshme “Prefekti”, në të cilën ka interpretuar edhe bashkëshortja e tij Behije Çela. Komedia “Prefekti” ështe vënë në skenë edhe në teatrin e Elbasanit, në vitin 1974 nga regjizori Xhelal Bilali. Rolin e prefektit e kanë luajtur dy aktorë, “Artistë të Merituar”: Hysen Biza dhe Astrit Çerma, në rolin e Behijes ka qenë aktorja Veronika Papa. E veçanta e kësaj shfaqjeje ka qenë se me trupën e teatrit “Skampa” të Elbasanit ka luajtur edhe çifti durrsak Nikolin Xhoja dhe bashkëshortja Meropi Xhoja, të cilët në këtë komedi kanë shkëmbyer rolet me aktorët elbasanas, (Meropi luajti me Hyzen Bizën dhe Veronika Papa me Nikolin Xhojën).

Ka marrë titullin “Hero i Punës Socialiste”.

Vdiq në Tiranë, më 21 Qershor 1968. Pas vdekjes mori titullin  “Artist i merituar”.