Luanim te Bedeni[1]”. Fillimisht shkonim e laheshim në përroin e Zaranikës dhe pastaj në Shkumbin (këtë fjalë përdornim për “bënim banjo diku pranë lumit…); shkonim për gjueti me llastiqe në ullishta, bënim atletikë te fusha e sportit, bënim ekskursione në fshatrat larg, siç e kam treguar.

Po si ishte ky bedeni (Fig. 17): përbëhej nga një sasi e madhe rrënojash të një pjese të murit të kalasë[2] së qytetit, i gjatë më shumë se pesëdhjetë metra dhe i gjerë rreth njëzet, i shkatërruar në vitin 1832. Nga ana gjatësore përbëhej nga dy pjesë, njëra e lartë, pothuajse dy-tre metra, e ngjitur me murin që qëndronte në këmbë; dhe tjetra në nivelin e rrugës, që shënonte kufirin e tij. Me kohë, gjithshka ishte mbuluar nga hedhje të ndryshme dherash, duke formuar dalëngadalë një shtresë dheu të qëndrueshme. Mund të konsiderohej një kopsht i braktisur. Këtë pamje ia jepnin ato pak pemë me trung të hollë: ndonjë fik, dy apo tre ullinj dhe një shegë. E fuqishme dhe hijerëndë ishte vetëm një karabobe. Më në fund, ishte një pjesë e dendur me qingla, e lartë rreth një metër, që zinte një hapësirë të vogël pak të frekuentuar, e cila formonte një lloj pylli me përmasa të vogla. Afër cepit në veriperëndim të zonës, pak më poshtë nivelit të rrugës, ishte çezmja e Gurabardhës, e njohur për ujin e ftohtë – ndonjëherë i ndotur – e furnizuar nga ujësjellësi i vetëm i vjetër i qytetit. Ky i fundit, natyrisht nën tokë, vijonte paralelisht me murin e kalasë, për të derdhur ujin rreth treqind metra më larg, në një gropë në fillim të Pazarit. Në atë gropë tregtarët që pinin raki ose uzo – në atë përiudhë, për fat të keq, ishin shumë që e tejkalonin – kryesisht në verë, linin të zhytura për pak kohë shishet e tyre të qelqit në formë violine, pasi pija shijonte më shumë nëse ishte pak e ftohtë. Uji i çezmes na shërbente për t’u freskuar kur kishim vapë, për të larë duart dhe fytyrën para se të shkonim në shtëpi nëse ishim shumë pis, duke shmangur kështu qortimet e mamave, si dhe për të pirë e shuar etjen. Më në fund, në jug dhe afër zonës së lirë, ishte një lloj ëmbëltoreje/akullore ambulante (ta quash kështu mbase nuk është e përshtatshme) që e drejtonte një fshatar i ri që vinte në qytet për disa muaj çdo vit. Ai vendoste bagazhet në lokalin e errët ku jetonte, të zhveshur e të pistë, rregullonte tavolinën portative me pak ëmbëlsira dhe bënte pothuajse gjithnjë akullore me krem dhe rrallëherë me limon. Ndodhte që këtë punë ta ndiqnim nga afër edhe ne fëmijët, duke u munduar të përfytyrojmë paraprakisht shijen e akullores në ngjizje e sipër. Po të kishte qenë i pranishëm ndonjë funksionar i ndonjë shërbimi shëndetësor, do ta kishte mbyllur menjëherë me zinxhir dhe me dy dryrë atë mjedis të errët. Ne nuk e vrisnim mendjen shumë, sepse na pëlqenin akullorja e tij, mollët e kuqe të mbuluara me një shtresë sheqeri të ngjyrosur dhe të ngulura në një shkop ose tre tipat e hallvës: i pari, hallvë e bardhë me arra, që jepej me copa që ndaheshin nga masa e fortë me një çekiç të vogël; i dyti, hallvë kafe, me bazë mielli dhe sheqeri të karamelizuar dhe, i treti, turhan-hallvasi, i importuar nga Turqia ose Maqedonia, të cilit nuk ia kuptoja përbërjen. Në fund, përveç ndonjë gjëje tjetër, kallamsheqeri dyngjyrësh, i bardhë e me vija rrethuese të kuqe, i thyeshëm, i bërë me pastë hallve. Me to mund edhe të luhej, duke i lëshuar nga njëfarë lartësie dhe, më duket, duke krahasuar më tej numrin e copave dhe gjatësinë tyre.  Përveç akullores, mendoj se të gjitha mallrat ai i blinte dhe pastaj i shiste, përderisa ai nuk kishte vegla a makineri për t’i përgatitur.

Pjesa e veriut të bedenit ndodhej midis murit të prishur të kalasë dhe dy rrugëve të rëndësishme (njëra prej të cilave ndahej menjëherë në dy të tjera). Te bedeni, djemtë e lagjes, lidhnin miqësi, bisedonin, vëzhgonin atë që ndodhte në rrugë dhe luanin. Nuk i kam pyetur asnjëherë babain dhe xhaxhanë nëse luanin edhe ata, por jam i sigurt se po, dhe mendoj se shkonte edhe gjyshi për të njëjtin qëllim.

Në lojërat tona ishte i pranishëm herë pas here edhe një burrë i ri (që e quanin Hasan), i cili nuk banonte afër nesh, por që ia dinim emrin. Ulej në ndonjë vend dhe, vetëm rrallë, bënte ndonjë pyetje jo gjithmonë me kuptim. Edhe ne, për të qeshur, i bënin ndonjë atij, megjithëse e dinim përgjigjen që para se t’i bënim pyetjen; për shembull: “Hasan, kur do martohesh? Dhe ai : “Nesër!”. “Nesër” përsëritej gjithmonë kur ai vinte të na shihte: i gjori ai, e jepte përgjigjen me bindje.

Ndonjëherë, në çaste pushimi, edhe ne ishim pothuajse të detyruar të vëzhgonim ngjarje që na tërhiqnin vëmendjen. Kujtoj pijanecë që bërtisnin dhe ecnin duke iu marrë këmbët, dallëndyshe që fluturonin në vijën e ujit në anë të rrugës kryesore, ndeshje patash, të cilat ngjanin me ndeshjet midis njerëzve dhe ndoshta për këtë arsye më kanë ngelur në kujtesë. Ishin ndeshje spontane, të vetvetishme, as të organizuara, as të dëshiruara nga pronarët e tyre. Por, me të filluar, ato shndërroheshin për ne në shfaqje zbavitëse. Ndeshja bëhej midis individëve më mbizotërues të grupeve të formuara nga 6-8 pata secili, të gjitha të ushqyera mirë dhe të shëndosha. Ato silleshin rrotull, zakonisht në kërkim të ushqimit në pjesën e Bedenit që ishte në nivelin e rrugës. Kur gjendeshin 10-15 metra larg njëri-tjetrit, dy drejtuesit niseshin në sulm me hap të shpejtë, me kokën dhe qafën drejt, rrafsh me tokën, për t’u ndeshur fizikisht me shpejtësi. Veprimi i tyre shoqërohej në mënyrë të pandërprerë nga klithmat tipike të llojit të tyre (si të ishin një harem i vërtetë), me të cilën, më shumë se dymijë vjet më parë, stërgjyshërit e tyre kishin zgjuar dhe shpëtuar romakët nga armiqtë që po i kapnin në befasi. Në këtë çast, me trupin në pozicion të drejtë, fillonte luftimi i vërtetë, me goditje të frikshme që jepeshin me të dy krahët, si nga njëri ashtu edhe nga tjetri, duke shkaktuar rënien dhe fluturimin e puplave. Të mërzitur ose të lodhur, duke marrë dhe duke dhënë goditje, ndaheshin pastaj, me gjoksin përpara dhe kokën lart, secili triumfues drejt grupit të tij. Në këtë finale vihej re një ndryshim si i tonit ashtu edhe mënyrës së përftimit të zërit që artikulohej: ishte si një përzierje të belbëzuari me zë më të ulët, më familjar të gugatjes. Finalja ishte zbavitëse dhe më bënte të qeshja pak, sepse triumfuesi përqafonte qafë më qafë pjesëtarët e grupit, ashtu si bëjnë shpesh edhe njerëzit.

Edhe ne luftonim, e madje shpesh, por pa u dëmtuar. Bëhej fjalë për një ndeshje trup me trup që ngjan me atë që bëhet në kampionatet e atletikës. Dy luftuesit kapeshin me duar te shpatullat e njëri -tjetrit, dhe pasi mbështesnin ballet, fillonin lëvizjet. Në luftim viheshin në punë muskujt e pjesëve të ndryshme të trupit. Përveç forcës, kishte shumë rëndësi qëndrueshmëria e këmbëve, shkathtësia, aftësia dhe, më në fund, shpejtësia për t’i vënë kamézë kundërshtarit, kur nuk gjendej në ekuilibër të mirë dhe, në të njëjtën kohë, të shkarkonte mbi të, të gjithë fuqinë që kishte: në atë çast, ishte mundësia më e mirë për ta hedhur në tokë.

Një lojë e kopjuar nga ushtarët ishte Biiizzz-a: njëri nga fëmijët, në fillim i zgjedhur me short, rrinte me krahun poshtë sqetullës, me shpinën e dorës të mbështetur mbi kurriz, pëllëmba e hapur nga jashtë, pa shikuar përreth. Të tjerët, të grupuar pas, afroheshin dhe e godisnin me dorë njëri pas tjetrit; nëse ai e gjente se kush e kishte goditur, ky i fundit ishte i detyruar ta zëvendësonte, dhe kështu me radhë. Ishte gjithashtu edhe një lojë për djemtë e fshatit, që kërkonte hapësirë, stërvitje dhe forcë, ishte “shkopacingli” ose më mirë “shkop e cingël”. Për ta realizuar nevojiteshin: një shkop i shkurtër, prej rreth 10 cm, më i hollë dhe i sheshtë në dy anët (cingli) dhe një shkop i madh, i gjatë prej 40 cm. I pari vendosej në tokë dhe goditej te cepat për ta hedhur në ajër, në një lartësi të mjaftueshme për ta goditur përsëri, por këtë radhë me forcë, në mënyrë që të shkonte sa më larg të ishte e mundur.  Kuptohet se suksesi varej nga aftësia për të goditur me kujdes shkopin kur ishte në tokë, për ta bërë të fluturojë në një lartësi optimale dhe duhej kujdes pastaj në goditjen e dytë vendimtare, që duhet të ishte e fortë.

Po ta mendosh mirë,shkopacingli” ishte një lloj baseball-i për të varfërit, sepse një pjesë e lëvizjeve është e njëllojtë.

Po ashtu, vrapi për të arritur i pari te një pemë e caktuar, te një shtyllë ose në ndonjë vend tjetër; hedhja që bëhej mbi kurrizin e një djali të kërrusur, duke mbështetur duart te kurrizi i tij dhe këmbët e hapura në maksimum për të mos e prekur; hedhja e një guri të rëndë, etj., ishin lojëra që nuk kërkonin pjesëmarrjen e shumë djemve. Pjesëmarrjen më të madhe e kërkonte loja e turrakalasë, që në italisht do ta quaja l’assedio alIa torre. Për këtë lojë duheshin të paktën dhjetë vetë, të ndarë në dy grupe prej pesë vetësh secili. Katër persona të një grupi bëheshin rreth, të përkulur lehtë njëri te tjetri, me duart te shpatullat e secilit dhe me kokat e mbështetura te njëri-tjetri, në mënyrë që të formonin kalanë. I pesti bënte rojen, në mënyrë që kundërshtarët të mos ngjiteshin ose t’i hidheshin nga pas njërit prej katër pjesëtarëve. Shërbimi i rojes bëhej brenda një rrethi me në qendër kullën dhe si rreze shërbente një litar i mbajtur në dorë, nga njëra anë nga roja, nga ana tjetër, nga një prej të katër personave. Pesë sulmuesit, secili për hesap të vet, duhet të gjenin çastin e duhur për t’u ngjitur mbi kullë, pa i prekur roja. Loja ishte interesante, por mund të realizohej rrallë, meqenëse duhej një grup i madh dhe persona pak të rritur.

Më në fund, loja me top, që ishte e ndryshme në varësi të materialit të transformuar në top, çka përcaktonte edhe llojin e lojës edhe numrin e lojëtarëve që arrihej të grumbulloheshin. Si material përdoreshin lecka të qepura me kujdes nga ndonjë prej nënave tona, ajo që na kuptonte më mirë dhe që ishte më e duruar. Ndonjëherë përdorej stomaku i gjelit të detit i fryrë, më shumë për t’u hedhur me dorë sesa për futboll, meqenëse ishte pak rezistent ndaj goditjeve. Më në fund, me tullumbace dhe topa me llastikë të thjeshtë dhe, vetëm kur u rritëm, me topa të vërtetë futbolli – me komardare dhe mbështjellje lëkure – kur ndonjë prej anëtarëve të grupit e merrte si dhuratë për ndonjë festë. Nuk arrihej asnjëherë të luhej me dy skuadra me formim të plotë njëmbëdhjetë me njëmbëdhjetë: rregulloheshim me ato që ishin në fushë atë ditë dhe atë orë: katër, gjashtë apo dhjetë vetë. Luhej duke kaluar topin në dorë të njëri-tjetrit, duke dribluar pa ndonjë qëllim, duke e mbajtur sa më shumë të ishte e mundur në ajër me kokë, duke e gjuajtur në portë (që bëhej me dy gurë të vënë në tokë, ose duke vënë xhaketat tona).   Shpesh ndalonin të na shihnin në rrugë, çka nuk ndodhte rrallë, sepse ishte loja që praktikonim më shumë. Të paktën tre djem të grupit ishin të talentuar, u apasionuan pas futbollit, i përkushtoheshin stërvitjes dhe lojës gjithnjë e më shumë, sa më shumë rriteshin dhe, në fund, u bënë të famshëm. Njëri nga ato edhe në Itali.

Ndërsa unë pata një mësim të keq. Një ditë, topi që gjuajta, goditi një nga të rinjtë e lagjes, që ishte shumë më i madh se ne, me të cilin njiheshim mirë, që e njhnim dhe na njihte, bile vetë ai kalonte te rruga kryesore në kufi me bedenin. Ka shumë mundësi që të mos ketë qenë në humor, përderisa  e mori për keq atë goditje pa dashje. Më konsideroi fajtor, më bërtiti dhe më ofendoi. U përgjigja si fëmijë pa edukatë, çka e bëri të nevrikosej edhe më shumë. Vrapoi drejt meje dhe më dha një shpullë. Ndoshta i qetësuar dhe i gëzuar që më dha një mësim dhe që më bëri të hesht, po largohej. Ndërsa unë, me mendimin se isha goditur padrejtësisht dhe, për më tepër, i turpëruar përpara djemve të tjerë, mora një gur dhe ia hodha nga pas. Nuk jam i sigurt nëse e godita ose jo por, sidoqoftë, për të ishte një sfidë dhe qe sikur ta kisha vrarë. E mori atë gur, ose ndonjë tjetër që gjeti për tokë dhe ma “riktheu”, por me nishan, duke më goditur mu në ballë. Filloi të më dalë gjak dhe lufta mbaroi. Vrapova në shtëpi për të pastruar dhe dezinfektuar plagën, si dhe për të marrë qortimet e ashpra të mamasë. Disa vite më pas, kur studioja në gjimnazin e Tiranës, mora vesh që atëherë “kisha gjetur” tamam personin e duhur për t’u zënë. Në fakt, ai që më plagosi, që ishte bërë më vonë kontrabandist cigaresh, kishte pasur një zënkë dikur me një tjetër dhe a e dini se si e kishte zgjidhur në mënyrë përfundimtare? … duke e vrarë atë!. Në qytetin tonë, ky qe një nga krimet shumë të rralla të atyre viteve.

[1] Beden – parapet, pjesa buzë mureve të kalasë.

[2] Gjatësia e mureve të kalasë ishte 308 x 348 m. E ndërtoi në vitin 1466 sulltan Muhameti II dhe e shkatërroi pjesërisht, në vitin 1832,  Rashid Ahmed Pasha: një turk e ndërtoi dhe një tjetër e shkatërroi.

 

(Nga libri “Copëza Malli” me autor Bim Dakli)