Është në nderin tonë që prezantojmë para komunitetit elbasanas, intelektualëve dhe mësuesve, portretin moral me të tërë atë madhështi shpirtërore me atë dinjitet, me të tërë atë aftësi profesionale që karakterizoheshin dy qytetarët e thjeshtë elbasanas, dy bashkëshortët mësues normalistë. Për ne që patëm fatin të ishim nxënësit e tyre dhe ti dëgjonim me ëndje fjalën e mençur të tyre.

Nonëse ata nuk janë sot pranë fizikisht, Faik dhe Alipi Pajuni jetojnë në mendjet dhe zemrat tona sepse lanë pas për ta patu model , finikërinë e tyre, madhështinë e fjalës dhe sjelljes, përfytyrimin e kulluar të mësuesit normalist.

 

Alipi Pajuni (Buda)

U lind në Elbasan nga një familje e varfër qytetare në lagjen Kala.

I ati u përkujdes për rritjen dhe arsimin e saj sido që mezi siguronte të ardhurat nga tregtimi I frutave që kultivonte në bahçen e tij.

Alipia Ndoqi studimet në Liceun e Korçës. Qëndrimi në internat (konvikt) me kujdestarinë e një francezeje, shpejt bëri që të dallohet nga moshatarët e saj. Serioziteti, zemërgjërësia, korrektësia në mardhënie me të tjetrët e karakterizonin ALipinë në gjithë qenien e saj. Pasi kryen të mesmen fillon punën si mësuese në klasat e ultëta të shkollës Plotore. Aty në punë e sipër u njoh me kolegun e saj Faik Pajuni, me të cilin vendosi të lidhi jetën. Një çift ideal bashkëshotësh. Martesa midis të dyve ishte një akt përparimtar, që theu tabutë dhe koncepted patriarkale të kohës. Së bashku me disa shoqe të tjera ato u bënë simboli i emancipimit të femrës elbasanase.

Për shumë kohë punoi në qytet si mësuese fillore e pastaj si mësuese e e gjuhës shqipe  dhe leximit letrar. Jo për privilegj por për meritë të sajën u dallua për pasionin, aftësitë dhe intuitën pedagogjike.

Ora e leximit letrar përthithej nga nxënësit të cilët ndiqnin me vëmendje mësuese Alipinë që dinte të trajtonte me mjeshtëri të rrallë çdo aspect të orës së mësimit,

Ku fliste zonja Alipi nuk pipëtinte asnjë, dhe ne na vinte keq që ora mbaronte aq shpejt – kujtojnë nxënësit. Zonja Alipi ishte një nga ato mësuese që e kishte kthyer mësimdhënien në art.

 

Faik Pajuni 

U lind në vitin 1911 nga një familje e varfër qytetare elbasanase. U burrërua shpejt sepse iu desh të kujdesej që ne moshë të re për nënën dhe motrat e tij. Mbaroi normalen dhe në vitin 1929 fillon punën si mësues, në skajin verilindor të Shqipërisë në Kastriot të Peshkopisë. Ra në sy që në fillim aftësia e tij profesionale, si mësues I denjë, si educator I rrallë. Atje në internatin (konviktin) “Djemtë e Maleve” ku ishin strehuar fëmijiët e zonave malore Lurë, Dardhë etj, mësuesi I ri shpalosi edhe aftësi të tjera ; ngriti grupin teatror dhe skuadrën e futbollit.

Kështu ai gjallëroi jetën e fëmijëve malësorë dibranë. Në vitin 1941-42 qe drejtor shkolle në qytetin e Peqinit dhe një vit më pas shkoi në Strugë të Maqedonisë. Duke parë përgatitjen e tij profesionale e emërojnë drejtor të shkollave të grupuara në Strugë.

Kthehet në Elbasan dhe punon në shkollën Plotore (Naim Frashëri). Aty njihet me vajzën nga Kalaja, zonjuhsën Alipi Buda me të cilën martohet.

Kudo që punoi paraqiti seriozitet dhe passion, gjë që e bëri të vlerësohet. Për një kohë punoi si Shef I Seksionit të Arsimit në Elbasan, si Inspektor Metodik I Qarkut të Elbasanit dhe si Drejtor i Shkollës Pedagogjike. Disa vite të tjera ishte edhe drejtori Shtëpisë së Pionierit.

Për tërë kohën që jetoi e punoi ky mësues normalist, deri sa doli në pension, u shqua për maturinë, korrektësinë ndaj detyrës, dhe aftësi në mësimdhënie që e veçonin mes më të mirëve. Në mjedisin intelektual elbasanas gëzonte respektin dhe konsideratën e të gjithë atyre që e njihnin.

 

(Kryesia e Shoqatës Normalisti)