Bardhyl Graceni

Bardhyl Graceni ka lindur në Elbasan, në një familje me tradita dhe atdhetare. Si normalist i viteve ’50, i përket atij brezi të apasionuar, që pas përfundimit të Normales, filluan profesionin e mësuesit me pasion e përkushtim. Njëkohësisht me profesionin e mesuesit, kreu me sukses studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, në Universitetin e Tiranës.

Gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës së mësuesit e më vonë të pedagogut, është marrë edhe me kërkime dhe studime shkencore në degën e tij dhe më gjërë. Gjithashtu ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në lëmin e studimeve pedagogjike dhe të historisë.

Si mësues, pedagog dhe Profesor i Asociuar, studiues në fushën e didaktikës shkollore dhe të historisë, ai hyn në plejadën e atyre që i kanë dhënë shumë jo vetem arsimit elbasanas, por edhe atij kombëtar. Si i tillë ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore, lokale, kombetare, por edhe jashtë vendit, duke referuar e kumtuar studimet e tij.

Ka punuar si mësues në gjimnazin e Cerrikut, ku gjurmët e tij ruhen akoma nga nxënësit e dalë nga ky gjimnaz.

Me hapjen e Institutit të lartë Pedagogjik dhe të degës Histori-Gjeografi, shërben si pedagog dhe më pas zgjidhet përgjegjësi i parë i departamentit të këtij fakulteti.

Bardhyl Graceni ka botuar shumë artikuj dhe tekste, ku trajtoheshin probleme të ndryshme të mësimdhënies së historisë. Po kështu ka bërë studime edhe mbi historinë e zonës së Elbasanit. Është bashkëautor në disa tekste shkollore. Ka bërë nji studim mbi jetën dhe veprimtarinë e Aleksander Xhuvanit. Kontributi i tij çmuar si pedagog në Universitetin “A.Xhuvani”, është i madh. Ai ndihmoi me kembengulje për hapjen e degës së mësuesisë në profilin histori-gjeografi. U mor me hartimin e programeve dhe teksteve, që u duheshin studentëve të kësaj dege. Ishte i papërtueshëm për t’u dhënë ndihmë studentëve.

Duke pasur një punë lavdëruese dhe të frytëshme në studime shkencore dhe pedagogjike, ka marrë  dhe titullin Profesor i Asociuar dhe Doktor i Shkencave. Puna e tij e vyer u ndërpre pas një sëmundjeje të rëndë. Vdiq në Elbasan, ku kontriboi deri në fund për arsimin kombëtar.