BANESAT E ELBASANIT

(postim i përmirësuar)

Shtëpitë elbasanase në pjesën më të madhe ishin ndërtuar me gurë dhe të mbuluara me tjegulla, të rrethuara me mure të lartë po prej guri me baltë dhe që nuk kishin dritare ose frëngji. Muret rrethues midis fqinjëve ose “avllitë” siç quheshin atëhere, kishin dy ose më shumë dritare të vockla me përmasa 30x30 cm, jo të tejpërtejshme, të cilat quheshin “kamare” dhe që përcaktonin pronësinë e murit. Shpesh herë muret rrethues midis fqinjëve ishin pajisur me disa deriçka të vogla të quajtura “delik” e që shërbenin për të lëvizur nga njëra banesë tek tjetra pa qenë nevoja për të dalë në rrugë. Kjo vlente vetëm për ato raste kur banesat përreth ishin të të njëjtit fis.
Porta e rrugës ishte e madhe, në formë drejtkëndore dhe e punuar me dru selvije që i rezistonte kushteve atmosferike. Kur hapeshin të dy kanatët e kësaj porte, mund të hynin lirisht në oborr kafshët e transportit me samarët të ngarkuar me drithë, ullinj, dru për zjarr etj. Në disa porta të jashtme vihet re që trau i tyre ishte në formë harku gjysëmrretor dhe i ndërtuar prej guri të punuar me mjaft elegancë. Në mjaft raste, shtëpitë e shtresave të kamura kishin dy porta rruge, porta e jashtëme, si dhe një portë tjetër e brendëshme e quajtur “porta kapí”. Sapo u fusje brenda portës kalohej nëpër një rrugicë të shtruar bukur me kalldrëm e në të dy anët e saj ishin mbjellë varietete të shumta lulesh që çelnin pothuaj gjatë gjithë vitit.
Banesat e Elbasanit që gjendeshin në fushat jashtë kalasë ose në varoshe, në përgjithësi ishin të gërshetuara dhe të vendosura në një labirinth kopshtesh dhe oborresh të gjelbëruara të cilat quheshin nga vendasit “qipshe”. Deri në fillim të shek. XX në Elbasanin me 2.200 shtëpi ishte mjaft e përhapur banesa e ulët dhe e hapur, me një kat dhe e quajtur “dollmallije”. Këto shtëpi ishin të përbëra nga 3-4 dhoma dhe në anën e pasme kishin një ambient më të vogël të quajtur “qur” dhe që përdorej për të mbajtur zahiretë e dimrit. Zakonisht dhoma e ndenjes kryente edhe funksionin e kuzhinës me oxhakun dhe enët e gatimit. Në muret e kuzhinës ishin vendosur rafte druri të quajtur “sergjenë” ku ishin renditur të gjitha orenditë si, tepsijat, sahanët, tasat, tava me bisht dhe tava me vegja, kusijat, kopaci, vorbet e baltës, sofra e drurit, gjymçe etj. Pjesa më e madhe e këtyre orendive ishin prej bakri të kallajisur, por nuk mungonin edhe takëme prej argjendi. Njëra nga dhomat shërbente si dhomë pritje që quhej edhe “oda e miqve”. Kësaj dhome i kushtohej shumë rëndësi nga pikëpamja estetike dhe në shumicën e rasteve, tavani i saj ishte i veshur me dru të zbukuruar me gdhendje në formë arabeskash. Të tilla gdhendje artistike kishin edhe dera e odes në fjalë, dollapët, yklyku (dollap në mur) ku mbaheshin shtresat e gjumit etj. (Në kohë më të vjetra, jo të gjitha banesat kishin oxhak dhe zjarri ndizej në mes të shtëpisë e tymi dilte nga tavani i cili nuk ishte i suvatuar në mënyrë që të lejonte daljen e tymit. Oxhaku në ato kohëra ishte tregues i rangut social që gëzonte shtëpia apo fisi në fjalë).
Banesa e Elbasanit kishte gjithashtu përpara një “hajat” të madh (veranda) pa tavan ku njëra anë e tij ishte pak më e ngritur dhe quhej “divanhane”. Ky mjedis çlodhës që shërbente për të ndenjur gjatë kohës së pranverës dhe verës ishte i shtruar me qilima të punuar me mjeshtëri, si dhe i plotësuar me shilte, jastëkë etj. Divanhaneja ishte e qarkuar në dy anë me parmakë të thjeshtë druri.

Në oborrin përpara shtëpisë ndodhej pusi i ujit, ndërsa në anën e pasme apo diku nga fundi i kopshtit ndodhej ambienti i tualetit me gropë. Këto ishin banesa që i takonin pjesës më të madhe të popullsisë që përbëhej nga borgjezia e vogël zejtare dhe tregtare.

Po kështu, kishte edhe banesa të një varianti tjetër, me kat dhe me çardak, si dhe borgjezia e madhe tregtare kishte ndërtuar shtëpi të larta me dy kate, me shatërvane etj. Këto banesa kishin forma dhe përmasa të mëdha të cilat qarkoheshin nga kopshte të mbjella me pemë frutore nga më të ndryshmet dhe për pasojë zinin sipërfaqe të madhe toke.
Pak më ndryshe paraqiten banesat e banorëve të besimit të krishterë, veçanërisht brenda në Kala. Për arsye të ngushticës së vendit, ata kishin shtëpi më të vogla dhe të ngjeshura njëra pas tjetrës, me rrugica të ngushta e të shtrembëruara dhe pa hapsira zgjerimi. Megjithatë, shumë shtëpi të kalasë janë mjaft interesante nga pikëpamja arkitektonike dhe shërbejnë ende si objekt për studim, apo për fotografi dhe pikturë nga amatorë të ndryshëm.

  

 

 

 

Përgatiti: B.Dylgjeri, Elbasan, prill 2014.