Faqja e parë e numurit 7 të Gazetës “Elbasani”

“Vitet 1921-1924 në Elbasan, karakterizohen nga një luftë e brendëshme politike, në të cilën morën pjesë masat e gjëra popullore.  Një luftë më e ashpër elektorale u zhvillua më 1923 gjatë fushatës së zgjedhjeve  për Asamblenë Kushtetuese, e cila, ashtu siç ishte vendosur në Kongresin e Lushnjës më 1920, do të përcaktonte formën e regjimit në Shqipëri. Në atë kohë, në Elbasan vepronin dy grupet kryesore politike: ai i “Pleqësorëve”, që ishte proqeveritar, dhe ” As i Pashës, as i Beut”(për të cilin ne kemi postuar një artikull veçmas”), që ishte grupi i opozitës. Lufta e ashpër politike që u zhvillua midis këtyre grupeve gjatë fushatës së zgjedhjeve u reflektua edhe në shtypin e kohës (Gazeta “Ura e Shkuminit” dhe “Elbasani”).

Secila nga gazetat përkrahte një grupim të caktuar politik dhe shumë prej artikujve ishin në mbështetje të tyre.

Në gazetën “Ura e Shkuminit” u botuan disa artikuj, si: “Zgjedhjet dhe vegjëlia”, “Vegjëlia dhe beu”, “Rrënjët e thella”, ku demaskohen  të gjitha veprimet (që mendohej nga gazeta në fjalë) që ishin kryer nga bejlerët dhe grupi i tyre gjatë fushatës së zgjedhjeve. Duke shprehur entuziazmin dhe guximin e shtresave të ndryshme të qytetarëve, në artikullin “Vegjëlia dhe beu” ndër të tjera thuhej: “Intelektualët e vendit, atdhetarët e vjetër, tregtarët, esnafët e ndershëm, djemëria e qytetit, shkurt të gjithë ata që kanë punuar e punojnë për të mirën e atdheut pa pikë interesi, folën sheshazi me votat e tyre, se beu nuk do të pëlqehet këtu si përfaqësues i popullit”.

Në gazetën “Elbasani” po ashtu nuk mungonin kritikat as për grupimin “As e Pashës as e Beut”, as për gazetën “Ura e Shkuminit”. Në një artikull për partinë “As e Pashës as e Beut” , gazeta “Elbasani” e konsideron atë si “komedi”, kjo edhe për faktin që kandidatët e saj, jo më larg se para 2-3 vitesh kanë qenë kandidatët e Pashës. Nw disa artikuj të tjerë, që nuk kanë qenë të  paktë, gazeta “Elbasani” i kundërpërgjigjej hapur gazetës “Ura e Shkuminit” në artikuj të tillë si: “Ç’asht feodalizma, a ka feodalizëm sot n’Elbasan?”, duke shpjeguar edhe termin Feudalizëm shprehet se po të kishte vërtetë një të tillë gazeta  “Ura e Shkuminit” nuk do të  shprehej aq lirshëm dhe se aristokracia nuk përbënte atë problem që reklamonin kundërshtarët, por ishte një klasë që ashtu si në çdo vend tjetër përbënte thjesht një shtresë popullsie e asgjë më shumë. Artikuj të tjerë janë: “Pak sinqeritet ne kritikë”, “Për gazetën Ura e Shkuminit” etj.

Atmosfera politike në Elbasan dhe në vend ishte zhvendosur në shtypin lokal, i cili një pjesë të mirë të veprimtarisë së tij ia kushtoi kahut politik që përkrahte, përmes artikujve të ndryshëm që shkruanin duke iu kundërpërgjigjur shpeshherë njëra-tjetrës.