Të njohim edukatorët e vërtetë.

Bisedova me një Zonjë të urtë nga Elbasani, së cilës jeta I ka shkaktuar një plagë, që s’u shërua kurrë. Iu luta të ma tregonte shkakun e asaj plage që vazhdonte t’i shqetësonte shpirtin. E pranoi lutjen time. Më përshkroi një ndodhi rrënqethëse, e cila ndodhi rreth 1 vit mbas vendosjes së Diktaturës.

Nisi të fliste duke marrë frymë me vështirësi e duke psherëtitur. Qetë e pa u revoltuar më tregoi gjithëçka ndodhi me vëllanë e saj të zemrës, kur ishte në lulen e rinisë së tij. Nuk shau, nuk mallkoi, nuk shfaqi asnjë urrejtje. Nga biseda kuptova se isha para një gruaje të urtë elbasanase, simbol vllazërimi kombëtar e fetar. Ishte mbesë e denjë e gjyshit të saj, i cili qe një prift i devotshëm elbasanas i lagjes Shënkoll.

E dëgjova me shumë vemendje atë histori të trishtueshme, sepse e pata dëgjuar edhe atëhere kur ndodhi. Isha adoleshent në atë kohë e për atë tragjedi flisnin nën zë edhe të rriturit të traumatizuar. Të tilla ngjarje rrënqethëse Elbasani i pa dhe i dëgjoi në kinemanë e qytetit. Gjyqet zhvilloheshin në sallën e saj të mbushur plot njerëz kurreshtarë. Të akuzuarit paraqiteshin para trupit gjykues shpesh pa thonj në gishta e me vula të zeza në fytyrë e krahë nga torturat që zgjasnin me muaj. Gjatë proçesit nuk vërtetohej asnjë akuzë. Avokatët mbrojtës me fakte e me ligje provonin pafajësinë e tyre, por gjyqi s’donte t’ia dinte! Shumë prej tyre pushkatoheshin rrëzë Krastës dhe sot nuk u dihen as eshtrat.

Ja ç’ndodhi me të vëllanë e zonjës së sipërpërmendur: Ai quhej Apostol Gega. Ishte i ri rreth të njëzetave. Më 1945 e emërojnë mësues në një fshat të largët të Gramshit. Pranoi. U nis e veç të tjerave mori me vete edhe një fizarmonikë të vogël. I duhej për t’u mësuar këngë nxënësve të vet si edhe për të mposhtur vetminë e një të riu që në fshat njihte vetëm nxënësit e shkollës e askënd tjetër. Pra shkoi si Mësues Normalist që do të edukonte sa më mirë vogëlushët duke I arsimuar edhe duke i edukuar si shqiptarë të vërtetë.

Ashtu veproi. Në shkollë u mësoi nxënësve këngë patriotike si Himni i Flamurit, Për Mëmëdhenë. I edukoi që miqtë në shtëpi t’i prisnin me dorë në zemër siç e do zakoni shqiptar. I këshillonte që të mos nderonin me grusht e të mos këndonin për Partinë, Stalinin, Bashkimin Sovjetik, etj. Pra përpiqej t’i rriste si patriotë.

Këto mendime i shfaqte hapur me shokët e të afërmit e tij. Patriotizmi e shtynte të dilte kundër rrugës antikombëtare që po ndiqte shteti I kohës, sepse nuk mund të pajtohej me te. Për pasojat s’deshi t’ia dinte. Ajo që e priste, ndodhi. U arrestua e u mbajt në hetusi për muaj me rradhë. Nuk u mposht, por qe dhe guximtar. Mundi të arratisej nga hetuesia, por s’arriti të largohej shumë. E riarrestuan. Ç’ndodhi më vonë dihet. U dënua dhe u pushkatua si shumë e shumë të tjerë në Shqipëri.

……………………………..

Pëe të bërë këtë shkrim si nxitje me shërbeu një bisedë rastësore që zhvillova para disa kohësh me një të njohurin tim. Bashkëbiseduesi im rridhte nga një familje e madhe fisnike dhe mikpritëse e fshatit Shën e Premte të Gramshit. Familja e tij ishte shpallur “kulake” e për rrjedhoje gjatë jetës kishte hequr “të zit e ullinit”, sic themi ne në Elbasan.

Duke folur për periudhën e vet të fëmijërisë, më tregoi se në atë kohë kishte njohur edhe mësues Apostolin (Kështu ma emërtoi Apostol Gegën). Kjo më habiti dhe e lashë të vazhdonte. Më foli gjatë për të. Në mënyrë të vecantë theksoi antikomunzimin e tij. Ai u kërkonte nxenësve të mos nderonin me grusht e të mos këndonin këngë për Stalinin, Bashkimin Sovjetik etj. Pra e kishte kuptuar që mësues Apostoli ishte I dhënë mbas gjithckaje kombëtare.

Ndërsa ai fliste mua më dukej sikur kisha përpara një Lul të Vocerr, tani i moshuar, që kishte patur mësues një Migjen Elbasanas!

Kur përfundoi tregimin iu luta që atë të ma shkruante e të ma sillte. Më dha fjalën dhe shpejt ma dorëzoi. Pashë që në atë shkrim dilte bukur figura e mësuesit A. Gega, prandaj po e paraqes me poshtë me shkurtime pa ia cënuar aspak kuptimin :

Nga një jetë e tërë njeriu mund të ruajë mjaft kujtime…… E njoha më 1945, ende fëmijë 7-vjeçar…..Erdhi në shtëpi si mik, se ishim familje e madhe e gjithmonë kishim të tillë…. Mbante në dorë një fizarmonikë të vogël ……. që e shihja për herë të parë…Më tërhoqi vemendjen me zërin e saj të ëmbël që s’kuptoja se nga I dilte……

Nga ajo fizarmonikë….për herë të parë shijova këngët  Për Mëmëdhenë, Himni I Flamurit, që më vonë kuptova se ishin këngë patriotike…. Ato ndryshonin shumë nga këngët e shkollës…. që I këndonin Stalinit, Partsë, Ushtrisë së Kuqe…. e që mësuesi s’I kishte për zemër…

Mbas disa ditësh Apostoli s’u duk më….. Më vonë u arrestua  Babai im ……. U shpallëm kulakë….. Babai “shkoi” në Maliq…. U kthye në shtëpi kur isha 17- vjeçar…. Pyetja e parë që I bëra babait ishte: Ç’di për mësues Apostolin? …..Më tha: “Mësues Apostolin e pushkatuan, sepse deshi më shumë Atdhenë se sa Komunizmin”

Ja edhe paragrafi I fundit I shkrimit që po e paraqes pa asnjë shkurtim:

Po, mësuesi im. Ti fole mirë. Jeta vetë do t’i realizojë amanetet e tua. Ti dhe vepra jote mbeti mësim për mua e për brezin tim. Ti qe një mësues për të gjithë nxënësit shqiptarë, prandaj vendin e ke në Altarin e Atdheut e prej andej do të përhapësh dritën tënde përjetë.

Medar Myftari

Por vetëdija e Lulit të Vocër nuk reshti së shkruari për Migjenin e tij, shpirtin e të cilit e sheh në qiell. Penda e tij e mbylli “veprimtarinë e vet”, kur nga mërgimi vargëzoi kështu:

Mësuesit Apostol Gega

(Me rastin e rivarrosjes në shenjë respekti të thellë)

“Me dorë në zemër nderon shqiptari

dhe jo me grusht,se s’ësht’së mbari”

guxove ti të na mësosh,

prandaj në shekuj do të rrosh!

 

Ashtu dhe nxënësit grushtin s’e ngritën.

Me fjalë shqiptari mikun e pritën.

Të kuqve kurr’ s’ju nënështruan

dhe pse me jetë atë e paguan!

 

E dije ç’ishte komunizmi,

o djep I shenjtë nacionalizmi.

Atë që the, jeta provoi,

prandaj gjithmonë ty kujtoi!

 

Nga historia do të nderohesh.

Dëshmor I Kombit do t’përjetohesh,

O trim I Shqipes sonë të dlirë,

simbol virtyti, njeriu të lirë!

Nuk mund t’a mbyll këtë shkrim pa i thurur edhe unë pak vargje figurës së këtij Mësuesi Normalist, simbol Atdhedashurie .

Të falenderoj

o Mësues I Kombit Shqiptar

që për Arsimin

je pishtar!

Apostol Gega qe shëmbëlltyrë e mësuesit shqiptar i cili qe gjithmonë patriot e luftoi për përparimin e kombit tonë, gjithmonë i rrezikuar nga të huajtë. Në shënjë nderimi dhe respekti për të një shkollë e qytetit të Elbasanit e meriton emrin “Apostol Gega”.

Rudolf Deliana

Mësues I Merituar