Alush Lleshanaku

U lind në fshatin Bradashesh të Elbasanit në vitin 1913. Kur mbushi 7 vjeç, familja e tij u vendos në qytetin e Elbasanit. Në këtë qytet mori arsimin fillor si dhe kreu shkollën Normale. Më pas mbaroi arsimin e lartë në Romë në degën e Edukimit Fizik në vitin 1932.

Pas kthimit në atdhe u emërua mësues i edukimit fizik në shkollat e nivelit të mesëm në Vlorë, Normalen e Elbasanit dhe në gjimnazin e Shkodrës. Ngjarjet e 7 prillit 1939 e gjetën në Shkodër. Më pas vjen në Elbasan.

Më 15 dhjetor 1939 emërohet kryetar i kryesisë së Federatës Fashiste të Elbasanit. Duke qenë përfaqësues i Elbasanit me cilësinë e federalit në Drejtoratin Qendror të Partisë Kombëtare Fashiste Shqiptare së bashku me fashistin tjetër Savorino Riccotinin, Alush Lleshanaku ishte edhe anëtar i organit legjislativ të shtetit që në atë kohë quhej Këshilli i Epërm Fashist Korporativ, organ që filloi funksionimin e tij që nga data 17 prill 1940 e vazhdoi deri në vitin 1943.

Në shtator 1943, pas ndryshimit të situatës politike në vend, ai u emërua komandant i xhandarmërisë për Elbasanin. Në fund të vitit 1944, i plagosur nga komunistët arrin të kalojë Drinin e Bardhë dhe të strehohet në një familje në Gjakovë deri në shërimin e plagës. Në vitet 1945 – 1946 Alush Lleshanaku ishte organizues i çetave antikomuniste në qarkun e Elbasanit. Më 28 korrik 1946 ai organizoi në Allajbeg të Belshit një mbledhje me (rreth 200) persona të strehuar në male që përndiqeshin politikisht nga regjimi, ku mori pjesë edhe Hamit Matjani. Pas këtyre përpjekjeve, Lleshanaku kaloi kufirin në Greqi. Më të mbërritur në Romë anëtarësohet në Bllokun Kombëtar Indipendent (formuar më 1946) dhe pas pak kohe shihet në kampin e “Santa Foro”-s në Bari të Italisë. Treshja e famshme desante e kohës ishte ajo e përbërë nga Alush Lleshanaku, Gjin Gjinaj dhe Hamit Matjani.

Alush Lleshanaku (i dyti nga e majta ) me shokë të tij

Blloku Kombëtar Indipendent desantoi njerëzit e tij në malet e Mirditës në 4 etapa: 15 shkurt 1949, 19 dhjetor 1949, 29 shkurt 1950 dhe 29 korrik 1950. Në tre këto desantime ishte i pranishëm Alush Lleshanaku si një ndër pjesëtarët e qëndresës antikomuniste. Në fund të vitit 1949, ai së bashku me shokët e tij lëvizën në zonën e Matit, Tiranës dhe Elbasanit. Në pritje të zbarkimit të grupit kosovar, Alush Lleshanaku plagoset në Ulzë të Matit në një betejë me forcat e regjimit me një gjendje të rëndë mjekohet në fshehtësi të plotë në spitalin e Milotit. Në fillim të dhjetorit 1950, Alush Lleshanaku niset në Elbasan së bashku me besnikun e tij Rexhep Kasa. Më 24 dhjetor 1950 Alush Lleshanaku vritet në një shtëpi në Elbasan. Po atë natë u vra edhe shoqëruesi i tij në Godolesh. Për të mos dekonspiruar vendin ku u vra, Sigurimi legjendoi ngjarjen sikur ai u vra në urën e Paprit në Elbasan disa ditë më pas.

Punoi: Hyqmet Zane