Ali Agjahu në Manastir – 1908

Ali Agjah bej Biçakçiu lindi në Elbasan, në vitin 1870.  Është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë së Elbasanit dhe ka kontributin e tij  në çlirimin e vendit.

Ishte nxitës e përhapës i arsimit në vendin tonë. Me hapjen e shkollës Normale, shtëpia e tij shërbeu si fjetore për normalistët.

Ka qenë pjesë e klubit “Bashkimi” dhe “Komitetit revolucionar” të Elbasanit, i cili në vitin 1912 u organizua në shtëpinë e tij.

Në vitin 1915 arrestohet në Durrës nga forcat e Esat Pashë Toptanit  e më pas internohet në Itali, ku qëndron deri në vitin 1918.

Të gjithë pasurinë e tij prej 10000 napolona florinj, përmes një testamenti që la në qershor të 1918, e vuri në shërbim të arsimit kombëtar. La gjithë pasurinë e tij të patundëshme e monetare, madje edhe shtëpinë e tij të banimit në Elbasan, dyqanet dhe hanet në qendër të Tiranës në dispozicion  të zhvillimit të arsimit në Shqipëri, me kushtin që kjo pasuri të administrohej nga Aqif Pasha, Lef Nosi, Hysen Dakli, Halim Beu, Taq Buda dhe Emin Haxhiademi dhe që një shkollë e ngritur në Elbasan të mbante emrin  e tij.  Testamenti i Ali Agjahut u zbatua në vitin 1936 – 1937 dhe një shkollë e ndërtuar nga të ardhurat e tij, në Elbasan mori emrin “Ali Agjahu”, emër të cilin vazhdon t’a mbajë edhe sot e kësaj dite.

Në gjendje të rënduar shëndetësore, u kthye nga Italia në Vlorë, ku vdiq në vitin 1918. Ai u varros po në Vlorë. Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 1937, eshtrat e tij u sollën në Elbasan.

Shkolla "Ali Agjahu" në ditët e sotme pas rikonstruksionit të saj.

Shkolla “Ali Agjahu” në ditët e sotme pas rikonstruksionit të saj.