Alfons Shefqet Balliçi

Kompozitor, Dirigjent, Kitarist dhe Muzikolog“Artist I Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”

Përgatiti : Drejtoria e Kulturës Bashkia Elbasan

Lindi në qytetin e Elbasanit më 10 dhjetor 1942.

Në vitin 1946 filloi të mësojë kitarën nën kujdesin e babit të tij Shefqetit, që ishte kitarist. Në moshën shtatëvjeçare jep koncertin e parë në publik i aktivizuar në orkestrën amatore të Shtëpisë së Kulturës Elbasan, aktivitet të cilin e vazhdoi deri në vitin 1967. Nga viti 1957 deri 1961 punon si orkestrant (kitarist) në orkestrën  e Turizmit Elbasan.

Shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1960, pranë gjimnazit “Qamil Guranjaku”. Në vitin 1967 mbaron Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura), Dega e Muzikës. Mbron diplomën me temë: “Disa karakteristika të përgjithshme të këngës popullore Elbasanase dhe krijimtaria e Isuf Myzyrit (1881-1956), kompozitor, vjershëtor dhe këngëtar popullor, “Artist i Popullit”. Deri në vitin 1970, merr mësime rregullisht për kompozicion nga kompozitori Çesk Zadeja, “Artist i Popullit”.

Në vitin 1967 fillon punën si dirigjent i Orkestrës së Estradës “Skampa”, Elbasan, detyrë të cilën e ka kryer për 25 vjet rradhazi me pasion dhe dinjitet artistik. në të gjitha takimet kombëtare të zhvilluara, orkestra e estradës “Skampa”, nën drejtimin  e tij ka merituar disa çmime të para, duke i zgjeruar më tej gamën e aktiviteteve të saj , me përmasa kombëtare.Nga viti 1968 deri në 1975 ka kryer punën e dirigjentit të orkestrës sinfonike dhe të asaj frymore të qytetit, duke punuar me pasion me këto trupa, të cilat në shumë raste janë vlerësuar me çmime kombëtare.

Në vitin 1968 orkestra sinfonike e drejtuar nga z. Alfons Balliçi dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhërin “Naim Frashëri” Klasi i II-të.Alfons Balliçi është njohës, mbledhës dhe studiues i folklorit muzikor qytetar të Elbasanit dhe veçanërisht i krijimtarisë muzikore të Isuf Myzyrit, për të cilën ka botuar dhe librin “Isuf Myzyri” me bashkëpunëtor z. Sul Dedej (1996).

Alfons Shefqet Balliçi Kompozitor, Dirigjent, Kitarist dhe Muzikolog, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Alfons Shefqet Balliçi
Kompozitor, Dirigjent, Kitarist dhe Muzikolog

Në vitet 1975 dhe 1977 u organizuan dy koncerte të kengës popullore në Elbasan, nën drejtimin dhe konceptimin e Alfons Balliçit, ku u evidentuan vlerat shkencore dhe profesionale të krijimtarisë popullore Elbasanase të Isuf Myzyrit në veçanti, koncerte të cilat morën përmasa kombëtare dhe u bënë shkas që Isuf Myzyrit t’i akordohet titulli i lartë “Artist i Popullit”.

Alfons Balliçi është një ndër themeluesit e Ansamblit Popullor “Isuf Myzyri”, i cili me aktivitetin e tij artistik ka përfaqësuar denjësisht Elbasanin, duke e nderuar edhe me çmime ndërkombëtare, Greqi, Follorinë, 1996. Me pasion dhe këmbëngulje Alfons Balliçi ka përgatitur një plejadë këngëtarësh popullorë si Suzana Qatipi, Zina Zdrava, Vëllezërit Zena, Mustafa Mehja, e të tjerë, të cilët me talentin e tyre kanë bërë jehonë edhe jashtë Shqipërisë. Si kompozitor është pjesëmarrës në 26 Festivale të Këngës në R.T.Sh., në 6 koncerte të Pranverës (Këngët e Stinës) , në 2 Festivale të Këngës së Ushtarit, në 24 Festivale të Këngës për Fëmijë (Shkodër), në anketat muzikore në Radio Tirana e në shumë festivale të këngës për të rritur e fëmijë të organizuara në Elbasan dhe në rrethe të tjera të Shqipërisë, ku është nderuar me çmime lokale dhe kombëtare. Në festivalin e 11-të të këngës në RTSH (1972) u përfaqësua me këngën “Rruga e Dibrës” e kënduar nga Sherif Merdani dhe shoqëruar nga kompleksi i kitarave elektrike nën drejtimin dhe orkestrimin e tij. Për pjesëmarrjen në këtë festival dhe sidomos ngjyrat modern që dha kompleksi i kitarave, z. Alfons Balliçit ju hoq e drejta e krijimtarisë për 3 vjet (1973 deri 1975).

Alfons Balliçi është cilësuar si një nga 10 kompozitorët më të suksesshëm në Shqipëri, vlerësim që është evidentuar edhe nëpërmjet ekranit të TVSH-se (Spektakli “Koha në pentagramin tim”).

Gjatë karrierës së tij 50 vjeçare artistike, ka përgatitur mbi 80 kitaristë, të cilët japin kontributin e tyre në skenat lokale dhe ndërkombëtare. Është përpunues i shquar i këngës popullore qytetare elbasanase, duke i dhënë asaj një tingëllim sa më bashkëkohor.

Ka kompozuar rreth 600 këngë, të orkestruara të gjitha prej tij. Alfons Balliçi shquhet për dëgjim absolut.

Ka kompozuar pjesë sinfonike si :

“Fantazi për piano dhe orkestër” (1969),

“Valle koncertale për klarinetë” (1975),

“Koncert për violinë”,

“Tri strumentale” e shumë pjesë për kitarë dhe orkestrale të muzikës së lehtë, si dhe muzikë dramash.

Si instrumentalist është kitarist absolut, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe dinjitet për shumë vite rradhas në Elbasan (1950-1967), më pas në Tiranë (1967-1972) në formacionet ritmike në Festivalet e Këngës në RTVSH (formacionet ritmike te A.Krajkës, G.Çurçis dhe F. Dedës), si dhe në formacionet e Orkestrës Sinfonike të Festivalit të Parë dhe të Dytë së Ushtarit.

Në vitin 1972 u aktivizua si kitarist në Ansamblin “Tirana”, duke korrur sukses të merituar në Rumani. Është pjesëmarrës në shumë spektakle prestigjioze të organizuar nga RTVSH, njëkohësisht dhe pjesëmarrës në cilësinë e Anëtarit dhe Kryetarit të Jurisë në disa aktivitete kombëtare si:

– Në takimin kombëtar zonal të estradave, Gramsh 1972.

– Në takimin kombëtar zonal të ansambleve artistike të shkollavë të mesme, rrëshen 1974.

– Në konkursin kombëtar të këngëtarëve popullorë, Tiranë 1984.

– Në takimin kombëtar zonal të estradave, Përmet 1993.

– Në festivalin e 39-të të këngës në RTV, Tiranë 2000.

Në gjininë vokale ka kompozuar operetta dhe komedi muzikore për fëmijë, muzikë dramash, suita vokale si dhe përpunime këngësh popullore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë prej viti 1969.

Ndërroi jetë më 02 gusht 2016 në Tiranë.