Aleksandër Xhuvani është një nga figurat më të rëndësishme që ka dhënë një kontribut të vyer në arsimin shqiptar dhe pedagogjinë në tërësi. Për më shumë se gjysmë shekulli ai u mor më çështje që lidheshin me gjuhën shqipe dhe konsolidimin e  saj mbi baza të shëndosha.  Ai zhvilloi një punë të palodhur, të frytëshme  e sistematike për më shumë se 55 vite.

Aleksander Xhuvani

Aleksander Xhuvani

Veprimtarinë e tij Bedri Dedja, në artikullin kushtuar 100 vjetorit të lindjes së A.Xhuvanit në Revistën Pedagogjike të vitit 1980, e ndan në tre faza:

Faza I: Koha kur ai u formua si pedagog e deri në shpalljen e pavarësisë, kur u ftua nga qeveria e Vlorës të ishte drejtor arsimi.

Xhuvani shkroi disa artikuj në gazeta të kohës si në gazetën “Albania” mbi themelimin e një gjuhe letrare shqipe, në 1905. Në vitin 1906 shkroi në gazetën “Kratos” dhe në gazetën “Drita” të Sofjes, në 20 janar të vitit 1907, artikullin me titull “Atdhesia e Elbasanit”. Në 1907 merr ftesë nga Luigj Gurakuqi për të qenë mësues i gjuhës shqipe në Kolegjin e “San Demetrio Korones”. Në këtë periudhë zë fill karriera e tij pedagogjike. Në 1 dhjetor 1909 nisi punën Normalja e Elbasanit dhe A.Xhuvani pranoi ftesën për të qenë mësuesi i parë i gjuhës shqipe, në shkollën e parë të mesme të Shqipërisë. Në 1910 u detyrua të largohej në Egjipt, për shkak të ndjekjes nga ushtria e Durgut Pashës. Aktiviteti i tij pas 1910 e deri në shpalljen e pavarësisë fokusohet në fushën publicistike. Në Egjipt ai mundi të botojë për gati një vit gazetën “Shkreptima”, deri në mars të vitit 1911. Përmes kësaj gazete arriti të shprehë shumë mendime që lidheshin me zhvillimin ekonomik e arsimor shqiptar, por mbi të gjitha “Shkreptima” ishte edhe një mënyrë e zgjimit dhe e nxitjes së ndjenjave atdhetare, në mbështetje të Rilindjes Kombëtare.

Faza II:  1913 – 1939

Në shtator të vitit 1913 Aleksandër Xhuvani fillon punë si drejtor i shkollës Normale dhe në 1914 kujdeset për “pastrimin” e arsimit shqiptar nga shkollat e huaja. Në mars të 1917 ai bëhet sërish drejtor i Normales dhe në 1920 është pjesë e Kongresit pedagogjik të Lushnjës e më pas si kryetar i kshillit të lartë arsimor, duke u përpjekur për të organizuar dhe unifikuar sistemin arsimor shqiptar, duke dhënë kontribut edhe në hartimin e legjislacionit për arsimin në vendin tonë. Ishte mbështetës i fuqishëm i krijimit të një sistemi arsimor laik dhe kundërshtoi frymën fetare në shkolla. Në vitin 1922 vazhdoi me po të njëjtat pretendime të ishte pjesë e Kongresit arsimor të Tiranës. Pas 1925, me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut iu kushtua plotësisht punës së tij shkencore pedagogjike dhe vazhdoi të trumbetojë për ruajtjen e traditave të shkollës Normale të Elbasanit. Aleksandër Xhuvani luftoi shumë për figurën e mësuesit, për pastërtinë e tij morale, mjeshtërinë, kulturën pedagogjike dhe cilësinë e mësimdhënies. Ja si e vlerësonte ai figurën e mësuesit: “Gjithë veprat e shumta duhet t’i këndojnë mësuesit tanë, pse me studimin e tyre do të hyjnë mbrenda në gjithfarë problemesh, t’edukatës”.

Në veprën e tij “Didaktika” Xhuvani sintetizon trashëgiminë e klasikëve të pedagogjisë dhe pedagogëve më të mirë të kohës.

Faza III: 1939 e deri kur vdiq, në 1961.

Gjatë kësaj periudhe Xhuvani rishikoi të gjithë veprimtarinë e tij pedagogjike, duke e orientuar nga teoria markisiste – leniniste. Në këto rrethana, deri sa vdiq në moshën 81 vjeçare ai dha kontribut si teoricien i pedagogjisë së re socialiste shqiptare dhe u kujdes për të krijuar  shkollën e parë të lartë të vendit.

Për kontributin e tij të gjatë, të vazhdueshëm e të vyer në gjuhën e arsimin shqiptar Aleksandër Xhuvani është nderuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Në një artikull tjetër, të Revistës Pedagogjike (1980), kushtuar Aleksandër Xhuvanit në 100 vjetorin e tij të lindjes, Mahir Domi ndalet gjërë e gjatë tek puna e palodhur e këtij lëvruesi e shkencëtari të gjuhës sonë.

Aleksandër Xhuvani u mor shumë me shkrimin e gjuhës shqipe, me përpunimin e kodifikimin e saj, me kulturën e shqipes dhe nevojat e shkollës e praktikës gjuhësore. Për të dhe gjithë rilindasit si ai, gjuha ishte dallimi  kryesor i kombit, hallka e fortë e bashkimit kombëtar, mjeti efikas i arsimimit të masave të gjëra të popullit, i përhapjes së dukurive e ideve kombëtare,  tregues themelor i kulturës kombëtare dhe i shkallës së zhvillimit të saj.

Vepra e Xhuvanit shënon  një etapë të re në gjuhësinë tonë. Ai është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që bënë studime të rregullta filologjike dhe u morën me problemet gjuhësore të shqipes nga ana shkencore.

Xhuvani ishte për një alfabet homogjen, të thjeshtë e latin, por duke ndryshuar vetëm disa shkronja në mënyrë që të përshtaten më mirë në shqip.

Mbronte tezën se gjuha letrare formohet mbi bazën e një dialekti dhe ishte për mbështetjen në dialektin jugor si bazë e gjuhës letrare dhe jo në të folurën e Elbasanit siç pretendohej. Sigurisht pranonte edhe marrjen e disa kontributeve leksikore dhe te folurave nga dialektet e tjera, aty ku e shihte të nevojshme.

Kundërshtoi pikëpamjet e shtrembëra, konservatore e lokaliste që ndalnin evolucionin e gjuhës shqipe. Kujdes, sipas tij, duhet të tregonin përkthyesit e shkrimtarët, që të zotëronin  një gjuhë të saktë e të pastër.

Xhuvani luftoi shtrembërimet e trajtave dhe të kuptimit të fjalëve. Kurse morfologjinë, shprehej ai, nuk mund t’a krijojmë ne, sepse është e formuar që nga kohët më të lashta.

Ai donte të krijonte një gjuhë të pastër e me “ligje”. Eci në gjurmët e Konstandin Kristoforidhit, Sami e Naim Frashërit, me një njohje të gjërë të gjuhës shqipe dhe me një pregatitje të thellë filologjike. Nuk ishte për përjashtimin e fjalëve të huaja nga gjuha që i konsideronte si: “brumi e prona e gjuhës e nuk munden me u shporrun aqë kollaj soje. Porse nga gjuha duhet të flaken barbarizmat e zeza që, për zvetënim të madh të gjuhës, janë tue u futun për ditë në të”. Ishte për përjashtimin e fjalëve që e mbysin orgjinalitetin e gjuhës dhe u ngrit kundër neologjizmave të panevojshme.

Pasuroi gjuhën letrare me fjalë e ndërtime të reja dhe përpunoi terminologjinë gjuhësore gramatikore. Përpunoi terminologjinë e shkencave pedagogjike, psikologjike e didaktike dhe i dha ndihmesë të madhe terminologjisë letrare shqipe. Disa nga termat që Xhuvani futi në përdorim janë: ngacmim, gërshetim, parafytyrim etj. Ai dha një ndihmë të madhe në leksikologjinë e përpunimit të  mendimit teorik. Mblodhi për vite të tëra fjalë e shprehje popullore duke grumbulluar një material të pasur leksikor e frazeologjik, që nuk arriti dot t’i përpunojë. Këtë punë e vazhduan Mahir Domi e Qemal Haxhihasani.

Ja si e kanë vlerësuar punën e Xhuvanit dy nga albanologët më të njohur: Prof. Norbert Jokli shprehet kështu për veprën “Fillimet e Pedagogjisë” së A.Xhuvanit: “..asht nji gëzim edhe ma i madh me pa se si për hir të veprimit të zotnis sate, veprim i palodhun edhe i ngultë, gjuha shqipe përparon e pasurohet. Tashti keni vue themelet e terminologjisë pedagogjike, psikologjike e filozofike dhe ashtu me mbarue nji punë plot me randësi për t’ ardhmen e kulturës shqipe. Ju uroj për këtë veprë tue thirrun: Vivant sequentes!”  

Dr.Maksimilian Lamberci e quan Xhuvanin si: “gjuhëtari shqiptar me merita të larta” dhe “njohësi më i mirë i visarit leksikor të shqipes”.

Ndërkohë edhe autorë shqiptarë si Sterio Spase janë shprehur kështu për Xhuvanin: Kur e kanë pyetur se që kur e njeh ai Aleksandër Xhuvanin i është përjigjur: – Që kur i kam pasur buët me qumësht!

Eqerem Çabej e  ka shprehur kështu respektin e tij poë figurën e Xhuvanit: ” Edukator i vërtetë dhe adhurues deri në fund i gjuhës amëtare, ai nuk pushoi kurrë së shtyri dishepujt e ish-dishepujt e tij të mbledhin fjalë të visarit të leksikut popullor prej gurrës së pashtershme të dialekteve të shqipes, si brenda Republikës si dhe në viset e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi”.

Qemal Haxhihasani thotë: ” Prof.A.Xhuvani u formua nën ndikimin e ideve patriotike të rilindësve, u ushqye me mësimet e tyre ndaj vlerësimit të thesareve të gjuhës e kulturës popullore e të shfrytëzimit të tyre si armë për rrënjosjen në ndërgjegjen e popullit të idesë së njësisë së atdheut, të gjuhës e të kombësisë, të luftës për çlirim kombëtar. Ai qe nxënës i rilindasit të shquar, bashkëqytetarit K,Kristoforidhit, ndërsa në kohën kur ndiqte studimet universitare, pati rast të dëgjojë kursin e folklorit nga një prej folkloristëve më të njohur të Greqisë, Nikola Politit. Detyra që kreu si mësues i shqipes pranë arbëreshëve të Italisë (1906-1909), i dha mundësinë të përjetojë gjallërinë e traditave popullore kombëtare,  që ruheshin prej shekujsh  me një mall të zjarrtë patriotik midis bashkëatdhetarëve arbëreshë”.