Nga ishte prof. Buda?
Nga Prof. dr. Luan MALLTEZI

Aleks Buda, personaliteti akademik i Shqipërisë, dhe nga ishte A. Buda sipas Luan Malltezit, Elbasan, Arkivi Digjital Elbasan

Aleks Buda, personaliteti akademik i Shqipërisë, dhe nga ishte A. Buda sipas Luan Malltezit

Në biseda me miq, me njerëz të shkencës dhe të kulturës, bie shumë herë fjala për prof. Budën, dhe kjo është e kuptueshme po të kemi parasysh se prof. Buda ka qenë Kryetari i parë i Akademisë së Shkencave në Shqipëri në vitet 1972-1993.
Në këto biseda, ne, ish-studentë të tij (dhe më pas, punonjës shkencorë të sektorit të historisë së mesjetës, që drejtonte prof. Buda), flasim me respekt dhe nderim të veçantë për aftësitë e tij të shquara në drejtimin e veprimtarisë shkencore të sektorit dhe të Institutit, si edhe për kulturën, formimin e thellë profesional, ndershmërinë dhe thjeshtësinë e tij.
Në këto biseda, edhe miqtë tanë bëjnë vlerësime për të si historian dhe intelektual i shquar, por kësaj radhe, duke pirë një kafe me prof. Pandeli Cinën, mësuam edhe diçka interesante për “origjinën” e prof. Budës. Deri më sot dinim se prof. Buda ka qenë nga Elbasani, i biri i Taq Budës, i cili kishte kryer studimet e larta në Athinë për farmaci. Burimet historike të kohës dëshmojnë se Taq Buda ka luajtur rol të rëndësishëm në Lëvizjen tonë Kombëtare, në ngritjen e klubeve dhe hapjen e shkollave shqipe në Elbasan, ka qenë delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit (1908), delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, deputet në dy legjislatura të parlamentit të parë shqiptar. Por prof. Cina foli për gjyshin e prof. Budës, dhe për këtë nuk dinim gjë.
Prof. Cina tregoi si e kishte takuar prof. Budën në Berat, ku ai vetë ishte dërguar me qarkullim si specialist kardiolog. Atëherë në Shqipëri kishte filluar lëvizja revolucionare kundër besimeve fetare, dhe në këtë kuadër në Berat rinia po tentonte të prishte Xhaminë e Plumbit. Prof. Cina kishte bërë disa takime me drejtues të pushtetit ekzekutiv, për të mos u prishur ky objekt i rëndësishëm i kulturës, por nuk ia kishte dalë dot. Në këtë kohë e sipër, dr. Cina takoi prof. Budën dhe, meqenëse e njihte, i ngriti atij dy probleme: të ndërhynte në organet përkatëse të pushtetit që të mos prishej Xhamia e Plumbit, dhe të bënte diçka për Vexhi Buharanë, njohësin e shquar të gjuhës dhe të kulturës osmane, të cilin e kishin çuar të punonte në berberhanen e qytetit ku priste biletat për klientët. “Ju, profesor, – i tha prof. Cina, – keni autoritet për të ndërhyrë lart dhe për t’i arritur këto gjëra”. Dhe prof. Buda, – kujton me respekt prof. Cina, – ndërhyri aty ku duhej dhe arriti të shpëtojë jo vetëm Xhaminë e Plumbit në Berat, por edhe të tërheqë në Tiranë, pranë sektorit të tij Vexhi Buharanë, si përkthyes të dokumenteve osmane.
Prof. Cina e kishte takuar përsëri prof. Budën në një mbrëmje festive në Tiranë me rastin e përfundimit me sukses të punimeve të Kuvendit të Parë të Studimeve Albanologjike. “Prof. Buda, – tha dr. Cina, – u ul rastësisht pranë meje”, dhe në bisedë e sipër, duke ditur se prof. Cina ishte nga Berati, i tha se edhe ai vetë nuk ishte nga Elbasani me origjinë, por nga Berati. “Nga Berati, – i tha ai, – kam pasur gjyshin tim, i cili ka pasur edhe shtëpinë e tij diku në kala, por nuk e di tamam se ku”. Prof. Cina, që siç duket e dinte këtë gjë, iu përgjigj duke qeshur: “Shtëpinë ta tregoj unë, profesor, se edhe unë nga nëna Buda jam”. “Ashtu! – i tha prof. Buda i çuditur, – pse, edhe ju Buda jeni!?” Kështu filloi edhe biseda midis tyre. “Gjyshi im, – filloi të tregojë prof. Buda, – njihte disa gjuhë të huaja dhe ka punuar ca kohë në Berat me një doktor nga Napoli; atëherë ishin vite të vështira për shëndetin e popullit dhe doktori bënte vizita dhe u rekomandonte ilaçe njerëzve të sëmurë. Këto ilaçe ishin barna popullore dhe këto i mblidhte gjyshi im”. “Më pas, – vijoi dr. Cina, – doktori e tërhoqi në Napoli gjyshin e Budës dhe atje ai kreu studimet e larta në mjekësi. Kur do të kthehej në Shqipëri, doktori e pyeti: Ku do të shkosh tani? Gjyshi i Budës i tha se do të kthehej në Berat. Jo, – i tha ai, – në Berat njerëzit të njohin si ‘njeriu që u jepte barna nga doktori’, prandaj bën mirë të shkosh në Elbasan; atje njerëzit do të të njohin si doktor, dhe kjo ka shumë rëndësi për një mjek të ri. Dhe kështu ndodhi; gjyshi i prof. Budës nga Berati filloi punë si doktor në Elbasan. Duke qenë në fushën e mjekësisë, dërgoi edhe të birin, Taq Budën, në Greqi për të kryer studimet në farmaci”.
Pas këtij informacioni interesant, biseda për Budën u hap më tepër midis nesh. Unë ndërhyra për të thënë se Aleks Buda kishte lindur në Elbasan; për këtë qytet, ku kishte kaluar fëmijërinë, ai kishte mall dhe dashuri të veçantë. Buda vlerësonte në Elbasan figurën e Kostandin Kristoforidhit, Shkollën Pedagogjike ku u formua kuadri i gjerë i mësuesve të shkollave shqipe. Buda kishte miq të shumtë në këtë qytet. Si në gjithë qytetet e tjera, edhe në Elbasan kishte myslimanë e të krishterë ortodoksë, këta të fundit kishin shtëpitë e tyre në kala. Elbasanasit i quanin të krishterët e kalasë “urume” ose “kalajsit”. Prof. Buda ruante kujtime të mira për tolerancën midis besimeve fetare në Elbasan.
Miku im, historiani i njohur Sherif Delvina, që ishte në tavolinë, ndërhyri duke thënë se profesori kishte të drejtë në këtë çështje, dhe tregoi me këtë rast një ngjarje të vjetër në Elbasan për Mahmud Biçakun, një të parë të familjes Delvina në Elbasan. Mahmud Pasha ishte i ati i Aqif Pashë Biçakut, – tha ai, – dhe ishte sanxhakbej në Elbasan. Në vitin 1876 turqit ishin të shqetësuar nga rusët, mendonin se ata do të sulmonin Perandorinë Osmane në Ballkan në mbështetje të shteteve të krishtera të Ballkanit: sidomos serbëve dhe grekëve.
Në këtë situatë të tensionuar, në Elbasan u hap fjala se ‘kalajsit’ ishin lidhur me grekët dhe myslimanë të armatosur iu drejtuan kalasë duke thirrur ‘t’i vrasim, t’i djegim kalajsit’. Sakaq, para portës së kalasë doli Mahmud Pasha dhe tha: “Ndaluni! Para se të vrisni kalajsit, më vrisni mua më parë! Unë kam dekret nga sulltani t’i mbroj të krishterët e kalasë dhe do t’i mbroj, sepse të gjithë ne, myslimanë e të krishterë, jemi shqiptarë”.