Albert Paparisto në 1955, në Moskë kur ishte me studime për kompozicion për piano.

Albert Paparisto në 1955, në Moskë kur ishte me studime për kompozicion për piano.

Albert Paparisto është një ndër të parët muzikologë në vendin tonë, themelues i Operas dhe Konservatorit Shqiptar.

Ai është njeri nga djemtë e argjendarit Jorgji Paparisto . U diplomua për muzikologji në vitin 1956 nga Konservatori Çajkovski i Moskës, nën drejtimin e të famshmit Dimitri Shostakoviç. Diploma e tij me notat shkëlqyeshëm u botua në atë kohë në gazetën kryesore të Moskës.

Më 1958 ai u bë drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit, ndërsa në janar 1962 themeloi Konservatorin Muzikor të Tiranës si drejtor i parë i tij. Lidhur me këtë ai është shprehur: “Meqenëse nuk kishim libra, transferova aty bibliotekën dhe fonotekën time personale” . Në vitet e para të Konservatorit, Paparisto jepte disa nga lëndët më të vështira, siç ishin harmonia dhe analiza e veprave muzikore dhe udhëhiqte njëkohësisht klasën e muzikologjisë.

Në janar të vitit 1966, për arsye politike, vetëm katër vjet pas themelimit të Konservatorit, Prof. Papariston e përjashtuan nga Partia e Punës dhe e dërguan në Shkodër. Në fillim e emëruan dirigjent në Shtëpinë e Kulturës, ku ai e mbajti gjallë pasionin dhe organizonte koncerte me orkestrën simfonike.

Më vonë punoi si drejtor në shkollën 8-vjeçare të muzikës dhe themeloi vitet e para të shkollës së mesme.

Në vitin 1971 u kthye në Tiranë si pedagog i Institutit të Lartë të Arteve. Gjatë gjithë kësaj kohe, profesori qëndroi indiferent ndaj politikës për t’u marrë ekskluzivisht me punën si muzikolog.

Prof. Paparisto ishte themeluesi i kritikës muzikore shqiptare dhe i njihet merita se përgatiti një numër të madh muzikologësh, të cilët më vonë do të punonin jo vetëm si pedagogë, por edhe si kritikë muzikorë.

Në suksesin e artistëve të famshëm shqiptarë, që sot konkurojnë me sukses në skenat evropiane dhe botërore, mund të thuhet se ka pjesën e tij edhe Prof. Paparisto.

Paparisto ishte i njohur për refuzimin e tij të përhershëm për të dhënë intervista në shtyp apo televizion. Preferonte të punonte me ngulm në pasionin e tij, me parimin se puna e çdo njeriu flet vetë dhe nuk ka nevojë për reklamë.

Në një kohë kur nga autorët kërkohej që veprat e tyre të pasqyronin bindje të caktuara politike, muzika e Paparistos ishte e paindoktrinuar, ajo tingëllonte e thjeshtë dhe e shkruar për njerëzit e të gjitha epokave. Për këtë arsye, disa nga veprat e tij janë kthyer në pjesë e përhershme e repertorit të artistëve shqiptarë.

Nga krijimtaria e tij përmendim: Këngë e lashtë”, “Romancë”, “Humoreska,” romancat vokale “Liria”, “Nokturn”, “Në syrin e pranverës”, “Hana”, etj.,

Këto vepra kanë hyrë në fondin klasik të muzikës shqiptare dhe luhen nga vendas e të huaj.

Ai ka lënë gjithashtu një album me pjesë për violinë e orkestër, një cikël me pjesë për piano, violinçel e piano si dhe pjesë për ansambël vokal.

Ka bërë po ashtu përpunime kompetente të këngëve popullore për kanto e piano, por vepra e tij është ende e pahulumtuar sa duhet.

Dekadën e fundit të jetës Prof. Albert Paparisto e kaloi në SHBA, ku u mor aktivisht me kompozime dhe mësimdhënie.

Ndrroi jetë më 2 nëntor 2014MiçiganShteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tiranë 1959. Të mëdhenjtë e muzikës shqitpare në një foto. Nga e majta në të djathtë : Gaqo Avrazi, themeluesi i Ansamblit të ushtrisë, Kristo Kono, autori i të parës opera shqitpare “Agimi”, elbasanasi Albert Paparisto, themeluesi i TOB (Teatri i Operas dhe Baletit), Kostandin Trako, dirigjent dhe kompozitor i kantatës së parë shqitpare, ---, Çesk Zadeja, kompozitor. Më rreshtin sipër Kostandin Tako është Tish Daia, kompozitor.

Tiranë 1959. Të mëdhenjtë e muzikës shqitpare në një foto.
Nga e majta në të djathtë : Gaqo Avrazi, themeluesi i Ansamblit të ushtrisë, Kristo Kono, autori i të parës opera shqitpare “Agimi”, elbasanasi Albert Paparisto, themeluesi i TOB (Teatri i Operas dhe Baletit), Kostandin Trako, dirigjent dhe kompozitor i kantatës së parë shqitpare, —, Çesk Zadeja, kompozitor. Më rreshtin sipër Kostandin Tako është Tish Daia, kompozitor.