Aksidenti i regjistruar në 26 nëntor 1977 në urën e poshtme në fshatin Dërstilë kur shkon në zonën e Gjinarit mbahet mend mirë për qytetarët elbasanas sepse ishte një fatkeqësi që mori 12 jetë njerëzish dhe shumë të aksidentuar.

Isha student i vitit të fundit në ILP “Aleksandër Xhuvani” kur mora vesh atë ngjarje të trishtë dhe shumë tragjike. Pa ditur se çfarë kishte ndodhur, rreth orës 15, u takova me pedagogun tim të nderuar Tomorr Domi që kishte zbritur me një skodë nga Gjinari ku po bënte stazhin pasi biletën e tij ia kishte dhënë një çifti nga Korça që nxitonin për të ardhur sa më shpejt në Elbasan ngaqë donin të kapnin trenin për të udhëtuar. Në atë moment nga një skodë tjetër na thonë se kishte ndodhur hataja tek ura e Dërstilës.

Më pas gjithçka u mor vesh vetëtimthi. Autobusi që drejtohej nga shofer Muçi kishte bërë një dalje të gomës së parë jashtë urës dhe më pas e kishte futur përsëri, por në atë moment rrotat e pasme dolën nga ura dhe autobuzi u përmbys duke rënë nga një lartësi prej 4 metrash dhe duke i zënë të papërgatitur pasagjerët, shumica e të cilëve ishin mësues të kësaj zone.

Njëri prej tyre do të ishte drejtori i sapoemëruar në Zavalinë Agim Lazareni, që në moshën 30 vjeçare humbi jetën.

Pas 35 vjetësh, këshilli i Qarkut Elbasan ndërtoi një memorial kujtimi të asaj ngjarjeje që ishte vërtet e hidhur dhe që meritonte një kujtesë memoriale.

Inaugurimi i memorialit për viktimat e aksidentit të rrugës së Gjinarit, Arkivi Digjital Elbasan

Inaugurimi i memorialit për viktimat e aksidentit të rrugës së Gjinarit

Ali Lazareni, vëllai i madh i Agimit, në atë përkujtim pas 35 vjetësh u shpreh se “Ata erdhën për të dhënë kontributin e tyre fisnik në këtë zonë dhe humbën jetën në aksident. Dua ti falënderoj të gjithë organizatorët për memorialin dhe ceremoninë përkujtimore. Ata bënë aq sa mundën për ti kujtuar në këtë 35 vjetor të kësaj ngjarje tragjike. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”.

Në atë memorial janë skalitur emrat e 12 viktimave të aksidentit në formën e një peme të realizuar nga skulptori Gëzim Hidri. Ky monument u vendos pikërisht aty ku 35 vjet më parë, në orën 13 e 40 të 26 nëntorit 1977, u rrëzua autobuzi dhe gjetën vdekjen 12 nga pasagjerët e tij.

2012, Memoriali i viktimave të Derstilës. Gjinar, Elbasan. Arkivi DIgjital Elbasan.

2012, Memoriali i viktimave të Derstilës. Gjinar, Elbasan.

12 intelektualët që ndërruan jetë në atë aksident ishin nga Elbasani e Korça, mësues, mjekë, veterinerë, farmacistë e banorë të zonës të cilëve iu akordua titulli “Qytetarë Nderi” në Poroçan, Zavalinë dhe Gjinar.

Duhet thënë se pasiguria e rrugëve në atë kohë ishte evidente në këtë zonë që konsiderohej e vështirë nga mosvëmendja e pushtetit komunist të kohës. Më pas shumë nga të mbijetuarit e këtij aksidenti u ndjenë të papërkrahur nga pushteti i kohës, me gjithë problemet shëndetësore që ata trashëguan nga ky aksident. Njëri nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie, Fatmir Suparaku, mësues i letërsisë, që punonte në Gjinar, i pranishëm në këtë përurim të memorialit, kujton jo pa dhimbje se “jam shumë i emocionuar nga nderimi i bërë sot nga ky pushtet, që korrigjoi atë që duhet ta kishte bërë pushteti i kaluar. Sa më shumë vite kalonin përsëri populli i asaj zone e mbante mend atë ngjarje të hidhur dhe fatkeqe për jetët e atyre intelektualëvë që ranë në krye të detyrës.

Me keqardhje kujtoj Agim Lazarenin, Shpresa Memolla, Prena Skënderi, Petrit Bishqemi, Poliksen Gignasi, Dafina Çolladej, Pren Toçi, Liri Muça, Naun Dedja, Sotiraq Qirja, Petrit Papa, Pirro Opari. Mësuesi i nderuar Fatmir Suparaku shprehet “unë që jam gjallë ndjehem shumë i nderuar për këtë kujtim që iu bë nga këshilli i Qarkut Elbasan kësaj tragjedie që sistemi komunist asnjëherë nuk e vlerësoi”.