Agni Todhri njihet për vlerat e saj si mësuese, si metodiste dhe si qytetare tepër fisnike. Ajo  është e para vajzë e shkolluar jashtë shtetit nga Elbasani në fushën e pedagogjisë e psikologjisë shkollore e ndoshta e para në vendin tonë për arsim të specializuar . Është shquar gjatë tërë karrierës së saj në fushën e mësimdhënies, si metodiste e didakte, duke punuar me përkushtim shembullor për futjen e metodave të përparuara, duke i dhënë përparësi, që në ato vite, punës së pavarur e krijuese të fëmijëve.

Agni Todhri

Agni Todhri

Lindi në një familje qytetare intelektuale, me traditë shekullore në arsim, në 1 Qershor të vitit 1894. Në moshën 6 vjeçare mbetet jetime. Për rritjen e saj u kujdes gjyshja. Me interesimin e Aqif Pashë Elbasanit dhe Dom Nikoll Kaçorrit vogëlushja 6 vjeçare dërgohet në Austri, ku pasi mbaron shkollën në Graz, për pedagogji e psikologji shkollore, fillon punën si mësuese në një shkollë të Vienës, ku qëndron 2 vite.

Mbas 16 vjet qëndrimi në Austri, Agni, kthehet në atdhe duke sjellë mjeshtërinë perëndimore të mësuesisë, libra e mjete mësimore për nxënësit shqiptarë.

Në vitin 1920 me kthimin në Shqipëri, ajo emërohet drejtoreshë shkolle në Shkodër.

Në vitin 1921 punon si drejtoreshë e shkollës Femërore në Tiranë.

Në vitet 1922-1938 ishte drejtoreshë e shkollës fillore “Drita” në Elbasan.

Në vitet 1938-1944, ishte drejtoreshë e shkollës foshnjore “Emin Haxhiademi” Elbasan.

Prej vitit 1944-1951, shërbeu si mësuese në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri”.

Shkolla e gocave, Agni Todri e treta në rreshtin e parë, fotograf Xhemal Keci.

Shkolla e gocave, Agni Todri e treta në rreshtin e parë, fotograf Xhemal Keci.

Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe si rezultat i kësaj dhuntie përkthente literaturë të huaj pedagogjike dhe me to ndërtonte punën për punë metodike me kolegët mësues. Ka botuar shumë shkrime për probleme pedagogjike në shtypin e kohës. Në historikun e arsimit elbasanas Agni Todhri  kujtohet edhe sot e kësaj dite, si një Personalitet i arsimit kombëtar.

Veprimtaria arsimore e familjes “rekordmene” Todhri fillon pikërisht me Zonjën e parë, të arsimit, me dhaskalisten e parë të Elbasanit, Agni Todhri.

Ajo i “fali” arsimit të gjashtë fëmijët e saj, Zefin, Nikolinën, Vilheminën, Vilsonin, Filloretën dhe Eleonorën, duke i dhënë kështu një kuptim të madh jetës së familjes Todhri.

Agni Todhri do të kujtohet gjithmonë si femra e parë intelektuale e kompletuar me arsim e kulturë europiane – perëndimore, mësuese e parë e shkollës shqipe, nismëtare për çeljen e shkollave dhe të kopshteve, drejtuese e talentuar e arsimit, veprimtare e talentuar, e guximshme, në jetë në luftën kundër analfabetizmit dhe injorancës për një emancipim të femrës elbasanase shqiptare.

Ajo është nderi dhe krenaria e Elbasanit. Familja Todhri është kampione dhe rekordmene e arsimit jo vetëm në Elbasan, me shtatë antarë të familjes dhe me 245 vjet punë.

Ndërroi jetë në vitin 1982.

Agni Papajani (Todhri) me 45 vjet punë, kjo “Mësuese e Popullit” e pashpallur deri më sot, meriton më shumë se kaq, emrin e saj do ta kishte dëshirë e nder t’a mbante çdo shkollës shqiptare.