Agim Haxhi Lazareni (1947 – 1977)

1976, Elbasan, Agim Lazareni, mësues i gjuhës dhe letërsisë. Arkivi Digjital Elbasan

1976, Elbasan, Agim Lazareni, mësues i gjuhës dhe letërsisë.

Lindi në Elbasan më 8 dhjetor 1947.

Në vitin 1961 mbaroi arsimin 7-vjeçar në shkollën ”Bardhyl Popa”, ndërsa në vitin 1965 kreu gjimnazin ”Qamil Guranjaku”me rezultate shumë të mira. Ai ka qenë një djalë i zgjuar, i edukuar, i respektuar dhe i dashur nga të gjithë.

Në vitin 1969 përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, fakulteti i Gjuhëve të Huaja.

Nga viti 1969–1971, u emërua mësues në shkollën e  Gjocajt dhe më pas në gjimnazin ”Zihni Magani” në Peqin. Nga viti 1971–1977 emërohet mësues në gjimnazin ”Dhaskal Todhri”, ku është dalluar si mësues shembullor.

Më 1977 emërohet drejtor i shkolles 8-vjeçare në Zavalinë. Aty punoi vetëm 2 ditë, sepse me 26 nëntor 1977, humbi jetën në aksidentin automobilistik tragjik të Gjinarit, në moshën 30 vjeçare.

Agimi, si mësues i nderuar është shquar për profesionalizëm në mësimdhënie, për punën intensive edukative me nxënësit, si edhe  marrëdhëniet shumë të mira me kolegët e tij arsimtarë.

Për të gjitha këto cilësi humane, në vitin 1977, pas ndarjes nga jeta, u dekorua me urdhërin ”Naim Frashëri”.

Prej kësaj humbjeje të dhimbshme, këshilli i komunës së Gjinarit e Zavalinës e nderoi me titullin ”Qytetar Nderi” dhe me  vonë Këshilli i Qarkut të Elbasanit e përjetësoi bashkë me 11 intelektualët e tjerë që humbën jetën në aksident.

Edhe sot, humbjen e Agimit e ndjejmë sikurte ishte data 26 nëntor 1977. Ai do të mbetet i paharrueshëm.

1975, Elbasan, Gjimnazi “Dhaskal Todri” dhe konkursi në lëndën e letërsisë midis klasave. Në këmbë,mësuesi i letërsisë që udhëheq konkursin Agim Lazareni.

1976, Elbasan, Gjimnazi “Dhaskal Todri” dhe mësues të tij. Nga e majta – Kolë Peçini (mësues Kimie), Luftar Taka (mësues fizike), Rozeta Trungu (mësuese e gjuhës ruse), Petrit Peni (mësues matematike), Agim Lazareni (mësues letërsie), Bardh Shutëriqi (mësues fizkulture)