Abdyl Kajanaku

Abdyl Kajanaku

Sot mbushen 40 vjet të ndarjes nga jeta, të profesor Abdyl Kajanaku. U lind në Elbasan, në nji familje qytetare. Pasi mbaroi shkollën Plotore, regjistrohet në Normalen, të cilën e mbaroi në vitin 1928, me dëshirën e madhe për t’u bërë mësues. Po këtë vit fillon punën si mësues në Durrës e pastaj në Elbasan. Në vitin 1935, Abdyl Kajanaku, filloi studimet e larta në Institutin “Zhan Zhak Russo”, në Gjeneve të Zvicrës, për shkencat pedagogjike e psikologjike, për të cilën ky Institut shquhesh.Në vitin 1939, mbron diplomën me temën studimore “Aftësia praktike e nxënëseve”, me drejtues shefin e katedrës se tij. Kthehet në Shqipëri dhe në vitin 1939, emërohet nga ministri i arsimit të kohës, Ernest Koliqi, Inspektor i Lartë i Arsimit. Kudo ku inspektonte e karakterizonte, shembulli pozitiv, përkushtimi profesional, edukata qytetare, tipare keto  që ja u përcillte mësuesve. Në vitin 1941-43, punoi në Drejtorinë e Arsimit Gjirokaster. Në këtë vit kthehet në Elbasan, në vendlindje dhe punon si pedagog në të famshmen “Normale”, deri në 1947. Pastaj punon në pedagogjiken e Korçës, nga 1948-1951. Nga viti 1952, për 10 vjet rrjesht punon si profesor në pedagogjiken “Shejnaze Juka” të Shkodrës. Pastaj kthehet në Elbasan e deri në vitin 1975, vit që del në pension. Punoi si pedagog i lëndëve pedagogji-psikologji në “Normale”. Profesor Abdyli, kudo ku punoi, si inspektor a pedagog, dha nji ndihmesë të madhe profesionale në përgatitjen e kuadrit mësues. Ai la mbresa të thella me të gjithë ato që punoi, si nji intelektual fisnik, me zemër të madhe, punëtor e profesionist. Ishte nji përfaqësues i shkollës aktive. Në qendër të maredhënieve qëndronte respekti për mendimin e lirë e të pavarur të nxënësit. Në një karakteristike të shkollës pedagogjike, thuhet: ”Është udhëheqës kryesor i pedagogjisë praktike. Njeh mirë problemet e shkollës fillore të mesme, ka futur metoda të reja mësimore. Kandidatet kane gjetur tek ai një udheheqës të sigurt e profesional”. Përvec si mësues, prof. Abdyli ka qenë nji studiues në fushën e Didaktikes se Re Moderne. Bashkëpunonte me revistat pedagogjike të kohës, si “Normalisti”, ”Edukata e re”, ”Shkolla Shqiptare”, etj. Profesori këshillon mësuesit,  që duhet të njohin mire, imagjinatën, fantazinë dhe altruizmin, si dhe psikologjinë e femijëve e të nxënësit në tërësi. Abdyl Kajanaku do të mbetet nji nga figurat më të nderuara të arsimit tonë, duke krijuar vlera didaktike, për të cilat kemi shumë nevojë sot, duke u mbeshtetur në formimin e tij profesional. Ai është dekoruar me titullin “Mësues i Merituar”. Djali i tij, Fationi pati fatin të marre edhe nji dekorate tjeter të babait, me rastin e 100-vjetorit të Normales. Respekte pa fund për mësuesit tane. Foto me bashkëshorten, Hatixhe (motra e profesor Mahir Domit) dhe djalin e tyre Fation.

Foto me bashkëshorten,Hatixhe (motra e profesor Mahir Domit) dhe djalin e tyre Fation.

 

Foto me djalin, Fation.