105 vjet më parë, më 5 maj 1913, u emëtua dhe hyri në qarkullim pulla e parë e Shtetit të ri Shqiptar, e cila ka një rëndësi të madhe si simbol kombëtar i identitetit.

Pulla e Parë Shqiptare

Pulla e Parë Shqiptare

Kjo pullë është një vulë mbi zarf, është e  rumbullakët me mbishkrimin “Ministeria e Postë – Telegraf e Telefonëvet”, e shkruar ndërmjet dy rrathëve koncentrike me diametër 38 mm dhe 25 mm.

Duke filluar nga data 5 maj 1913, shteti shqiptar fillon të përdorë për tarifim zarfe postarë me vlerë 1 grosh.

Përgatitja e zarfeve kishte filluar që më datën 1 maj 1913. Vula e rrumbullt, metalike, me diametër 38 mm, është porositur dhe prodhuar në Romë, së bashku me serinë e vulave që do përdoreshin në zyrat postare. Në mes të vulës është stema e shtetit të ri shqiptar me shqiponjën dykrerëshe, ndërsa përqark rrethorit, emërimi “MINISTERIA E POST-TELEG E TELEFONËVET”. Ngjyra e vulës ishte e zezë. Ngjyra e zarfeve haset: e bardhë, gri e çelët, ngjyrë kashte dhe bezhë. Edhe dimensioni i zarfeve të vulosur ka qenë i ndryshëm. Ndeshen me madhësi 10 x 15 cm, 12.5 x 15.5 cm dhe 11 x 14 cm.

Të tilla zarfa  janë përdorur në shumicën e rasteve si zarf i plotë ose është prerë në formë katrore apo rrethore pjesa e vilës dhe është ngjitur në zarfin e letrës që do të dërgohej.

Meqenëse një pjesë shumë e madhe e teritorit të Shqipërisë në maj të vitit 1913 ndodhej e pushtuar nga ushtri të huaja, postat shqiptare furnizuan me këtë pullë vetëm 14 zyra postare e pikërisht : Vlorën, Fierin, Lushnjen, Beratin, Skraparin, Elbasanin, Krujën, Qukësin, Peqinin, Kavajën, Durrësin, Shijakun, Tiranën dhe Lezhën.

Ky emision u hoq nga qarkullimi më 30 qershor, por me që zyrat postare ishin furnizuar gjenden zarfe të qarkulluar deri në dhjetor të vitit 1913.

Pasi u vulosën 2232 zarfa vula u asgjësua me dy të gërvishtura kryq me të cilat u bë në disa kopje për dëshmi që nuk mund të shtypeshin të tjera.

Me që kjo pullë është mjaft e rrallë dhe me vlerë të konsiderueshme në ankandet filatelike, qarkullojnë edhe mjaft kopje të falsifikuara. Për këtë arsye kerkohet shpesh edhe certifikata e garancisë qe lëshohet nga ekspertë ndërkombëtarë.

Nga emisioni 3: pulla më e shtrenjtë shqiptare. Janë emëtuar 16 të tilla me vlerën prej 50 piastra.

Emision pullash për Lef Nosin, viti 1993.

Emision pullash për Lef Nosin (Ministri i parë i Postës së Shtetit Shqiptar), viti 1993.