Kisha e Shën Kollit në Elbasan mendohet të jetë ndërtuar rreth vitit 1700. Vite më vonë ajo është djegur dhe është meremetuar në vitin 1849. Ky fakt vërtetohet nga fermani i Sulltan Mexhitit drejtuar Prefektit të Prefekturës së Ohrit, Haxhi Fahir Beut dhe dijetarëve Naib Kadiut të kazasë së Elbasanit. Ferman i Sulltan Mexhitit: “Nderja e mburja e shokëvet, zot i gradës së tretë e kajmekam (prefekt) i Sanxhakut (prefekturës) s’Ohrit Haxhi Fahir Beut dhe dritë e dijetarëve Naib Kadiut të kazasë s’Elbasanit dhe ndera e shokëvet anëtarëvet të këshillit, paçin pushtetin e naltë, me t’u mbërrijt men ky urdhën i naltë i jemi t’a dijnë se: Një kishë e Rumëvet (Orthodoksvet) që thirret kisha e Shënkollit në lagjen e Shënkollit, një ndër lagjet e t‘Elbasanit, tue qenë se asht djegun, rajet e asaj lagje janë lutun për meremetimin e saj. Kisha në fjalë asht vezhgue e matun me anë të organevet të Sheriatit dhe ka rezultue se asht tridhet e nantë metër e gjatë (në tekst përmendet “Zira” që ka një gjatësi prej gjishtit të mesëm të dorës deri te brryli) njëzet e tetë e gjanë e trembëdhet e naltë, me dy dyerë e me gjashtë dritore më ka tetë pëllambë nalt e katër pëllambë gjanë. Me të vërtetë kisha në fjalë, e djegun, ka nevojë të meremetohet e të këthejë në gjendjen e saj të përparëshme. Unë nxora urdhënin t’em të lumnueshëm dhe ilami me mazbata iu referuen Shejhulislam e Mufti Ismet –Bej –zades dhe dijetarit erudite e shumë të vertytshmit Ahmed Arif – Hiqmet – Beut, Zoti ua baftë të vazhdueshëm vërtytin, nga të cilët u kërkue fetvaja tue shtrue çashtja kështu: Kur një kishë në një katund shkatërohet, t’interesuemit a mund e këthejnë atë në gjendjen e saj të mëparshme pa i shtue gja. Gjegjëja qe se po, munden t’interesuemit m’e sjellë kishën në gjendjen e saj t’vjetrë. Në këtë vështrim doli fetvaja. Kështu dhe unë, si mbas lejes së sheriatit të nderuem dhaçë lejen t’eme mbretnore për meremetimin e kishës në fjalë dhe qita, burue prej mëshirës seme mbretnore Hatt ‘in t’em madhshtor tue urdhënue që të veprohet simbas tij e simbas fetvas së ndritun. Dhaçë autorizimin tem mbretnor që kisha në fjalë të meremetohet, aq gjatë, gjanë e naltë e me atë sipërfaqe siç ka qenë ma para, pa e kalue strukturën e saj origjinale. Në qoftë se ndokush ka me guxue me lejue ndreqjen e saj ma e madhe se ishte ma përpara dhe ka marrë të holla prej rajavet, mbi ta ka me randue përgjegjësija dhe për ta ka m’u ba keq. Ju që jeni Kajmekam (prefekt), Naib-Myfti e tjerë kështu t’a dijni dhe kështu të veproni, tue u ruejtë nga një veprim i kundërt për sa u tha. Kështu t‘a dijni dhe nënshkrimit t’em t’i jepni besim. Shkrue në medis të muajit të Seferul-hajrit (I dyti muej mbas kalendarit hënor) të vjetit njëmij e dyqind e gjashtëdhetë e gjashtë. V. 1266 – 1849”. Marrë nga: Fermantar, Të shkruash historinë me tolerancë, TIKA, 2005, faqe 116-117; AQSH, F. 143, D. 1281, fl. 1.

1849, Elbasan, Leja për riparimin e Kishës së Shën Kollit, Arkivi Digjital Elbasan

1849, Elbasan, Leja për riparimin e Kishës së Shën Kollit