kontribuesi2

Dy reportazhe në Elbasanin e vitit 1910…

 

Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar nuk mund të lihet pa u përmendur kontributi i Shkollës “Normale” të Elbasanit dhe i atyre që e ideuan, ngritën, drejtuan, financuan si Aqif pashë Elbasani, Dervish Biçakçiu, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Lef Nosi etj. Ishin pikërisht këta atdhetarë të shquar që më pas punuan për shpalljen e pavarsisë, e ngritjen e shtetit shqiptar. Mjaft bukur vëmendjen e tyre për shkollën “Normale” , dashurinë e qytetarve të Elbasanit për shkollën “Normale” na e japin dy reportazhe të vitit 1910 në gazetën “Tomorri” të Lef Nosit.
Reportazhi i parë (31 Mars 1910) flet për mbërritjen në shkollën “Normale” të 19 nxënësve nga Kosova të financuar nga atdhetari i shquar Hasan Prishtina, duke pasqyruar entuziazmin me të cilin ata u pritën nga populli i Elbasanit. Ja si përshkruhet: “Të enjten më 25 të muajit nxanësit e shkollës “Normale” bëshkë me profesorët e t’yne, me qeleshet e bardha përmbi krye, kishin dalun me kohë për jashta qytetit për me pritun nantëmbëdhjetë djemt, që po vinin prej Kosove dhe Struge. Kishin dalë përpara t’i presin edhe një shumësi e madhe prej qytetarvet që u mallëngjehet zemra për përparimin e kombit dhe për një arsim të vërtetë për bijtë e Shipënis. Nxënësit bashkë me popullin zunë vend në kopësht të madh të shkollës, ku nga ana e këshillës së profesorëvet i palodhuri atdhetar Luigj Gurakuqi, me atë ambëlsi gjuhe dhe bukuri të folunit, e cila kurdoherë karakterizon fjalët e tij tha: “ … me përpjekjet e parreshtuna të këtij zotnie (Hasan Prishtinës) ka me ardhë një ditë, dhe nuk asht e largët, kur me ditunië të vërtetë dhe me themel, me një arsim krejt kombëtar do të dritësohet dhe do të marrë rrugën e qytetnimit gjith ajo Kosovë burrnore, gjithë ai vend i atdheut të dashun, ku kanë shkëlqyer kurdoherë besa ma e madhe dhe trimnia ma e rrallë, me të cilat asht pajuar kombi shqiptar. Historia e kombit t’onë me shkronja t’arta, me shkronja të çkëlqyera do të shkruajë ndër faqet e’ saj shërbimet e mëdha, punët e shënuara, … të cilat asht tue bâmun deputeti i adhurueshëm ndër deputetet t’onë Hasan be Prishtina në fushë atdhesië… brez pas brezi, zembrat e djegura t’atdhetarëvet emënin t’uaj kânë me bekuar, dhe një shtat (shtatore) i shkëlqyeshmë, një shtat i mermertë që do të ngrehet për ju, pasi mote të kalojnë, ka me leçitun për para botës së qytetënueme, që një komb i gjithë ju ka detyrë!»
Dhe shtatorja e Hasan Prishtinës u ngrit në Shkup pikërisht në këtë 100 vjetor të pavarsisë.

Reportazhi i dytë (30 qershor 1910) bën fjalë për provimin e nxënësve të parë të Normales, pas përfundimit të vitit shkollor. Është impresionuese ceremonina e organizuar me atë rast, marrin pjesë figurat më të shquara të Elbasanit, por ajo që veçanërisht tërheq vëmendjen, pjesmarrja masive e qytetarve të të tij. Një provim i hapur me publik, një festë për qytetin.
Ja atmosfera sipas reportazhit të Lef Nosit në gazetën Tomorri:
“Ora ishte njëmbëdhjetë para dreke dhe njerezia… zun të derdhen pa pushim në Mësimore, me gjithë që binte një shi i holle. Për pakë kohë, salla u mbush tunde me njerës, sa që s’kishnje se ku të huthnje gjelpanën. Shkallët e Mësimores edhe oborri ma së fundi, me gjithë që shiu nuk pushonte, ishin plot për plot me atdhetarë, të cilët, me zjarr në zemër, kishin rendun të ndegjojnë provimet e djelmoshavet shqiptarë dhe të shohin e të çmojnë me syt e tyne punen e përparimin që ishte bamun për shtatë muaj në këte Mesimore Shqipëtare të-lartë, që vlerëson ndihmën e përkrajen landore (materiale) të gjithë atdhetarevet të vërtetë. Në kjoftë se nuk kishte me ranë shi, në kopësht të math të Mësimores, do të kishte rrjedhun gjithë qyteti. Në sallën e madhe shohim gjithë parësin e vendit: Aqif Pashën, Dervish Beun(Biçkaçiu): Shefqet Beun(Vërlaci), Hasan Beun(biçakçiu), Kryetarin e Beledies(Bashkisë) Alush Saraçin, gjith parësiet ushtërore dhe politike, përfaqesonjesit e Klubit “Bashkimi i Ri”, shoqënivet “Aferdita” “Drita dhe”Dielli”. Kryetari i Parësise, se Mësimores i-palodhuni atdhetar Dervish Be Elbasani(Biçakçiu) qëndronte në krye të shkallevet edhe, me atë fisnikëni të hollë që karakterizon gjithë mënyrat e të siellunat e tij, priste gjindjen… Për gjithesecilin kishte edhe një fjalë të-amblë e një nderim të-veçantë”
Fjalën e merr Luigj Gurakuqi, drejtor i “Normales”:
“Shtatë muaj ma parë n’atë ditë fatbardhë e të paharrushme… u hapën dyert e kësaj shkolle Normale… E dinim se do të punonim për gjuhë e për atdhe siç e ka detyrë ç’do Shqypëtar i vërtetë, e ky mendim na ngrohte zembërën e na jipte guxim e durim… Po sot gëzohem që ju dëftenj, o Zotërinj të ndershëm, se puna me ndihmën e Zotit e t’aftesiës së Shqyptarëvet i kapërceu shpresat t’ona. Sot qe kemi nderin të ju shohim përsëri të mbledhun në ktë vend të bekuar në ktë çerdhe të dituniës të shqypëtarëve, shpresojmë se nuk do të ju mbajmë ma vetëm me fjalë të gjata e të thata po do të mundohemi t’ ju vërtetojmë, me vepra e me tregime, mendimet e fjalët t’ona e t’ju japim një provë të vogël po të këthjelltë të dobís e të frytit, që sjell ky lloj mësimi tue ju shtrumun përpara pemët e reja të kësaj vjete shkollare… Djemt t’onë rrodhën nga të gjitha viset e Shqypëniës e u derdhën këtu n’Elbasan, e jo vetëm nga Toskëria… po mâ fort Gegënia e Sypërme, nga Kosova fisnike e trimoshe me të përpjekunit e të nderëshmit Hasan Be Prishtina… Këtu do të rriten me urti e do t’ushqehen me mësime e me dituni ata apostuj Shqypëtarë, që për së shpejti do të përndajnë dritën në të gjitha viset e vêndit tonë.
E shoh për detyrë t’i falem nderit si Komisjonit të shkollës si edhe parësisë e të gjithë njerëziës s’Elbasanit, që aqë fort janë munduarë të na ndihnin në të kryemit e barrës s’onë. Elbasani, përveç se truni e zembëra e Shqypëniës do të jetë paskëtaj për të gjithë ne edhe si një vênt lindjeje i dytë. Nxânësit e kësaj shkolle, nashti që do të këthehen në vëndet e në shtëpiat e veta, besonj se do të sjellin me vehte një kujtim të mallëngjyeshëm e do të përhapin e do të përndajnë nâmin e tij në të katrë anët e atdheut t’onë. Rroftë pra Elbasani, djepi i mësimt e i dituniës kombëtare!”
Pas kësaj fjale të zjartë të fillon provimi. Në reportazh shkruhet: “Përgjithësisht të gjitha mësimet, të trajtuara më një gjuhë të-rriedhëshme dhe të-për-bashkme kupëtoheshin lehtësisht prej të gjithve dhe ma tepër po thua se dy orë rreshtë tërhoqën pa ndo-një farë mërzie verejtjen e gjith asaj gjindjeje të-madhe, e-cila nuk pushonte tue trokitun duart nga pëlqimi”.
Dhe pas provimit janë çmimet për më të mirët që sot përbëjnë një surprizë e vëtë. Por “Ç’ishin çmimet? – shkruhet në reportazh-Me kohë atdhetari i dëgjuar dhe i adhuruarshmi deputai t’onë Hasan bej Prishtina kishte derguar dy-mbë-dhetë orë (sahate): katrë me mbulesë t’artë dhe tetë me rreth të këtillë. Përveç këtij zotnie të-lartë orë dhuruan edhe këta zotnië të nderëshm: Aqif pasha dy, Shefqet beu dy, Dervish beu një, Qamil beu një, i vëllai Dervish beut dy, Hasan Çiftja një, Klubi “Bashkim i Ri” dy, shoqënia “Drita” një, Esnafi një….”
Atdhetarizëm, idealizëm, entuziazëm, që në këtë 100 vjetor vlen të përmenden. Vlen të nderohet ”Normalja” e famshme e Elbasanit, që përgatiti apostujt e atdhetarisë, dijes, përparimit. Vlen të nderohen njerëzit e shquar e vizionarë që e ngritën, drejtuan e financuan. Vlen të nderohen qytetarët elbasanas që e deshën, e mbrojtën dhe mbështetën aq fort.