………………

Ndër ‘to mâ par’ Kaliopeja nisi
Me kang’ t’ kallxojë veprat e të parve,
Dhe me kithare t’ ambël t’ a stolisi
Fis’ n e Shqiptarve.
Fatozat si këndoi qi koha solli,
Filloi Klioja kangën tregimtare,
Sa burra t’ vlefshëm e të famshëm polli
Nana shqiptare.
Nga njomështin e zanavet buçitën
Kodrinat, porsi kur i rreh duhija,
E Nymfat lodratare u çuditën
Nga bukurija.
Pastaj e kap kitharen me ja nisun
Nji kange Uranija me duër t’ arta,
Se qiellin yjet qysh e kan’ qindisun
Me pika t’ zjarrta.
E kur e thoshte këtë kang’ hyjnore,
Satirët kqyrshin me habi të madhe
Najadat, qi i kishin rrok për dore,
Porsi sarkadhe.
E Melpomena kur kitharen mori,
Te kambët me kothurna e mbëluëme,
Mallngjyëshëm kangëtoi si ra dëshmori
Për atdhé t’ lume
Si ra dëshmori për Shqipnin e dashme
Dhe derdhi gjakun krejt ajo vajtoi,
E qysh u fikën djemt për vajza t’ pashme
Ajo kangtoi.
Por kur Thalija më fëtyr’ gazmore
Nji melodi t’ zakonshme përsëriti,
Të gjitha vashat porsi topa bore
Gazit i shkiti.
Se dhelatoi e bukra Muz’ plot lodra
Polemin t’ on’ qi nuk e sheh drejtimin,
Dhe malet përkundrejt naltsuë me kodra
Ktheshin jehimin.
Por nuk vonoi edhe Polihymnija
Të marri pas asaj kitharen n’dorë,
Edhe f këndoj si falesh Pellazgjija
N’ tempujt hyjnorë.
Euterpeja pastaj me zan bilbili
Kangtoi me thellësi të shpirtit stinat,
Qi çel zamaku edhe trandafili
Nëpër kopshtinat………..