Filip Papajani ka lindur në vitin 1878, në  lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, ku kaloi edhe fëmijërinë. Vdiq më 28 mars të vitit 1945. Nga natyra ka qenë impulsiv, nuk shoqërohej me bashkëmoshatarët dhe shfaqte shenja pavarësie dhe mosbesimi në çdo gjë.  Me  kalimin e viteve lidhi  miqësi të ngushtë me “njerëzit e zotit”, besim të cilin nuk e kishte më parë. Vitet e shkollës nuk dihet se ku dhe kur i bëri. Por pas  mbarimit të saj, ai shkon në Rumani, tek daja i tij, i cili ishte emigrant prej vitesh atje. U  rregjistrua në Universitet, në fakultetin e mjekësisë. Gjatë studimeve iu desh të punionte nëpër restorante për të përballuar jetesën.

Në Rumani u  bashkua me shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit që punonin dhe përpiqeshin për Shqipërinë e sidomos në lëvizjen  për një Shqipëri të pavarur që drejtohej nga Princi Albert Gjika, rumun, me origjinë të largët shqiptare, vellai i shkrimtares Elena Gjika, që njihet me pseudonimin  “Dora d’Istria”.

Më  23 Prill 1905 organizuan  në Bukuresht  një Kongres ku morën pjesë si të ftuar përfaqësues nga Shqipëria e nga Maqedonia, nga kolonitë shqiptare. Pjesë e këtij kongresi ishin edhe personalitete politike, publike e letrare nga e gjithë Rumania. Filipi bënte pjesë në grupin e shqiptarëve të Kolonisë së Bukureshtit.

Kongresi zgjodhi një komitet qëndror e vendosi të botojë një gazetë me emrin “Kombi”.   Për këtë caktoi një organ drejtues, në të cilin bënte pjesë edhe Filip Papajani, i cili bashkëpunoi për gazetat në gjuhën shqipe që botoheshin atje. Me Asdrenin u  miqësua shumë  dhe kur poeti erdhi aty  nga vitet ’30  për një vizitë në Shqipëri, qëndroi me Doktor Filipin për disa ditë në Pogradec.

U fejua me të bijën e tij dhe u martuan, po në Bukuresht më 1909. Aty, më 1910 lindi vajza e parë Margarita. menjëhere pas shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë më 1912.

Si patriot, vjen në Atdhe së bashku me Asdrenin e  Pandeli Evangjeli për të përkrahur vendosjen e Princ Vidit si Mbret të Shqipërisë.

U bashkua me çetën e Mihal Gramenos duke u bërë shkas të krijohej dhe një miqësi e shëndoshë familjare.

Luftoi gjithashtu kundra bandave  të Haxhi Qamilit duke e konsideruar lëvizjen e këtij të fundit si anakronike e rikthim tek pushtimi turk.

Në  Elbasan filloi të punojë si mjek në vitin 1919, duke lënë një përshtypje shumë të mirë në popull, veçanërisht  kur në Elbasan u përhap epidemia e kolerës dhe e gripit spanjoll, ku shërbeu me përkushtim human.

Më  1921 themelon me shpenzimet e veta gazetën “Shkumbini”  ku boton disa kryeartikuj kritikë shumë të fortë kundër regjimit që po vendosej në Shqipëri. Aktiviteti i tij ishte përparimtar, antifeudal e në favor të fshatarësisë.

Këtë aktivitet patriotiko-demokratik e vazhdoi deri në vitin 1924.  Pastaj  vendoset në Pogradec, ku ndërton  një shtëpi në bregun e Liqenit të Ohrit.

Filipi e donte shumë Elbasanin e tij të dashur, të cilit i dedikoi dhe një poemë plot mall me titull “Elbasani”. Kjo poemë vazhdon akoma në ditet e sotme të kujtohet, të mesohet përmendësh dhe të recitohet në ambiente shoqërore apo familjare si dhe ne programet televizive.

Filipi që në rininë e tij në Rumani ishte marrë me gazetarì, kështu që i ishte krijuar pasioni i të shkruarit. Që në Bukuresht më 1913 boton poemën “Osman – Maria” ku dy të rinj me fe të ndryshme bien reciprokisht në dashuri. Këtë dëshirë ja plotësoi djali i dytë Bardhyli i cili u martua me myslimanen Nexhibé nga ku lindën tre djem, Ovidio, Iliri e Skënderi, duke kaluar një jetë shumë të lumtur së bashku.

Filipi frymëzohej e shkruante vjersha e tregime duke u renditur në shkrimtaret e Rilindjes Kombëtare në fillim me pseudonimin “Rasa e bardhe” dhe më vonë deri sa vdiq me pseudonimin “LIPI”.

Gjatë qëndrimit në Pogradec njihet dhe miqësohet me Lasgush Poradecin, me të cilin bashkëpunoi derisa vdiq. Nga shkrimet e tij mund të përmendim tregimet e gjata “Pellazge, Vllaznim-Qytetnim” (1923), poemën “Ndreka” (1925), dramat: Moisi Golemi (1928), Bardhushi (1930), Fatbardhi (1934). Për jetën e vështirë të vegjëlisë shkroi tregimin e gjatë “Proka dhe vepra të tjera” (1936), si dhe përmbledhjen poetike “Elbasani” (1938) i influencuar aty-këtu edhe nga stili i poetit të madh rumun Eminescu. Në Elbasan dikush këtë poemë e mësoi përmendesh duke e recituar mbas darke në familje apo shoqëri.

Shkroi dhe tregime të shkurtra, veçanërisht atë me titull “Kukudhi i Kavajës”, që  u botua në vitin 1923 në gazetën “Shkumbini” e që më vonë zuri vend në antologjite e leximeve letrare të shkollave 7-vjeçare. Ky tregim u ribotua më vonë në «Antologjinë e Tregimit Shqiptar 1884-1939» (1986).

Për shkak të aktivitetit të tij të hershëm patriotik dhe atij letrar, si dhe lidhjet që kishte krijuar që në rini me shokët e tij të fëmijërisë në Elbasan, pati një miqësi të ngushtë me të gjitha shtresat politike të vendit.

Miqësi të veçantë pati veçanërisht me Lef Nosin, edhe ky elbasanas, shok fëminije, i cili ndërhyri pranë komandaturës gjermane dhe ja shpëtoi të birin Virxhilin, që ndodhej në burgun e Selanikut, i kapur rob dhe i dënuar me pushkatim.

Gjithashtu ruajti miqësinë me Kryepeshkopin e Shqipërise Imzot Kristofor Kisin dhe me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Hafiz Musain, të cilët kur vdiq në Mars 1945 e përcollën që të dy për në varreza duke ecur njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të arkivolit duke bërë përshtypje shumë të madhe pasi njerëzit pyesnin “ky që vdiq ishte kristian apo mysliman?”

Ai ishte dhe mbeti vetëm “Shqiptar”.

Në çastet e fundit shkroi këtë poezi :

Një qen i zi.
I zi sterrë
Si skëterrë
I math! sa një ari
N’oborr m’aulliu
Ktë gjak ç’m’a ngriu.

Një korb qyqar
m’erth n’oborr
mor i gjorë!!
Shtiu llahtar!!
Këndon, ç’këndon?
Mjerim lajmon.

Një tra kërcet
Shkak? Pa shkak!!
Derth helm n’gjak
Ky zan’i shkret
Plot tmer, trishtim
mbush shpirtin t’im.

Gjà s’përpërin
Dhoma varr;
Trupi zjarr
Nga frika ngrin
Qaj e vajtoj
Po vdes,  po shkoj.

Një yll perëndon
Shokët lé
Bije përdhe
Udhën harron
N’errsin’u zhyt
U shojt, u mbyt …

 

Përshtati nga Robert Cipo për ADE: Fetah Biza