kontribuesi2

 Shkrim nga Dr. Shefqet Deliallisi

Para pak muajsh përkujtuam me madhështi 100 vjetorin e Kongresin e Manastirit, ngjarjen më të rëndësishme në historinë e shkrimit të gjuhës shqipe. Përkujtimi ishte dinjitoz dhe kulmoi me përkujtimoren e mbajtur në Shkup, në të ciliën përshëndetën kryeministrat e tri shteteve, Shqipëri, Kosovë,  Maqedoni.

Jo më larg se 10 muaj pas tij, më 2-9 shtator 1909, një tjetër kongres kombëtar, i përmasave të njejta për nga rëndësia, pjesmarrja dhe vendimet, u mbajt në Elbasan, i njohur si “ Kongresi i Elbasanit “ apo “Kongresi i Shkollave Shqipe”.

Ky kongresi u thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut, ndërsa u përgatit drejtpërdrejtë nga klubet “Bashkimi” e “Vllaznia” të Elbasanit.
Një e përkohshme e atyre ditëve nën titullin “Kongresi i Elbasanit” shkruante :“Ky kongres është më i shënuari nga të gjitha kongreset. Me vendimet që ai mori e la emrin e tij të pavdekur nëpër faqet e historisë sonë “

Por çfarë po bëhet për  kremtimin e100 vjetorin e tij ?  A po merren masat për një përkujtim sa më dinjitoz të kësaj ngarje që i kalon përmasat e Elbasnit.

Kam përshtypjen se jo.

Pikërisht kjo vonesë, dhe rëndësia e pakët që po i kushtohet kësaj ngjarje kaq madhore për kombin shqiptar më detyroi të shkruaj këto rradhë.

Kam përshtypjen se pushtetarët e Elbasanit po e konsiderojnë 100 vjetorin e Kongresin të Elbasanit  thjeshtë si një ngjarje lokale, apo edhe më thjeshtë, si 100 vjetori i shkollës Normale. Qëndrim ky jo realist.

Por çfarë në të vërtetë përfaqëson Kongresi Kombëtar i Elbasanit ?

Për hir të së vëtretës janë të shumtë ata që nuk e njohin sa duhet atë, ndoshta kjo edhe nga prirja lokaliste e elbasanasve që e lidhin atë vetëm me shkollën Normale, duke harruar Nënën që lindi Normalen, pikërisht Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Hapja e Normales, përbën vetëm një nga vendimet e këtij Kongresi.

Por le t’i kthehemi Kongresit që në histori njihet si “ Kongresi i Elbasanit “ apo dhe si “Kongresi i shkollave shqipe”,  që i zhvilloi punimet më 2-9 shtator 1909.

Le t’i kthehemi shtatorit të vitit 1909 të cilin na e jep në ditarin* e tij, një nga organizatorët dhe drejtuesit e kongresit, Mit-hat bej Frashëri. Ja si e përshkruan ai rrugën e delegatëve drejt Elbasanit :  “…jemi më tepër se njëzet kuaj. Shokët e mij janë delegatët e Manastirit (zoti Gjergji Qiriazi dhe Zonja Sevasti Qiriazi), delegatët e Ohrit dhe Strugës (Hamdi dhe Abdulla beu) dhe delegatët e Korçës dhe të Skraparit me të cilët u bashkuam në han të Quksit : Orhan beu, Idhomen Kosturi dhe Abdulla beu; bashkë me këta dhe Osman effendi Zuraja, bashkëdelegat i Selanikut, Baki effendi Berati shok i udhës dhe zot i fjalës….Kur arritëm në Rrapi i Vojvodës,(hyrje e qytetit të Elbasanit) gjetëm një shumicë njerëz nga Elbasani që na kishin dalë përpara bashkë me Dervish benë (Dervish bej Biçakçiu që u zgjodh kryetar i kongresit). Një fjalë mirseardhjeje prej pritësit dhe një fjalë ngjatjetimi prej nesh dhe gjithë më këmbë hyjmë në qytet drejt në klubin “Bashkimi”, ku na pret dhe një shumicë tjatër………

Jo rastësisht për mbajtjen e kongresit të arsimit ishte përzgjedhur Elbasani. Ishin traditat e shkëlqyera patriotike, arsimore e kulturore dhe figurat e spikatura të Rilindjes Kombëtare të këtj qyteti që ndikuan në  zgjedhjen e tij.

“Vërtëtë më të bukur qytet se Elbasani- shkruan Mit-hat Frashërit në ditarin e tij- s’mund të gjendej për një kongres të tillë kombiar, ku do të bisedohet puna e shkollave shqipe dhe mësimit të gjuhës sonë; njerëzia e elbasanit jo tani por dhe në kohët despotike ishin çquar për dashurinë e tyre për gjuhën shqipe…..”. “Sot mblidhemi në shkollën greqisht, shkollën e kalasë. Pas konstitucionit, në këtë shkollë klubi ka vënë një mësonjës shqip. Në Elbasan ka dhe një shkollë greqisht tjatër, por dhe atje mësohet shqipja; bashkimi dhe mëmëdhetaria e elbasansve I ka lënë shterpë kundërqëndrimet e klerit grek që na duken kaq të orte e të dëmshëm gjetkë. Përpara shkollës, në mes të saj dhe kishës, shohim varrin e Kostandin Kristoforidhit, të atij të palodhurit djalë të këtij qyteti të cilit gjuha jonë I ka hua shumë gjëra: kthimet (përkthimet) e tij të librave të shenjtë, fjalori I tij dhe gjithë propaganda që ka bërë në këtë qytet, janë munomente që nderojnë për jetë kujtimin e këtij njeriu të vyer.”

:“ Në mes dy mbledhjeve të kongresit, – shkruan më tej në ditar- bashkë me një mikun tim vemi në dyqan  të zotit Lef Nosi. Ky vend është një klub I vogël këtu në Elbasan. Zoti Lef përveç plaçkave të tregtisë, shet dhe libra shqip dhe pranë këndit që rri, ka rradhitë libërtoren e veçanë të tij, jo vetëm shumë libra shqip, por dhe mjaft të tjera në gjuhë inglisht e të tjera: edhe kështu dyqani bëhet vend i pjekjes i disa djelmoshëvet që kuvëndojnë për gjëra të mësimit”

Ky ishte Elbasani i vitit 1909.

Kongresi i Elbasanit u hap më 2 shtator të vitit 1909 dhe i vijoi punimet deri më 8 shtator. Në të morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe të shoqërive shqiptare të qyteteve të tilla si Elbasani, Tirana, Durrësi, Dibra, Shkupi, Manastiri, Gjirokastra, Korça, Berati, Leskoviku, Përmeti, Ohri, Struga, Pogradeci, Janina, Filati, krahinat e Gramshit, të Skraparit etj. Nuk mundën të dërgonin delegatë Vlora dhe Shkodra, për shkak të terrorit të xhonturqve mbi atdhetarët e qytetit. Po ashtu dhe  vilajeti i Kosovës, për shkak të pengesave që nxorën klerikët dhe paria konservatore e fanatike, që përkrahte alfabetin arab. Megjithatë, klubi i Shkupit ngarkoi si përfaqësues të vetin Mit-hat Frashërin, ndërsa atdhetarët shkodranë njoftuan në mënyrë paraprake se do t’i njihnin vendimet e këtij Kongresi.

Midis delegatëve të Kongresit kishte veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare, si edhe mësues atdhetarë, siç ishin Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj e Sevasti Qiriazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Hamdi Ohri, Nikollë Kaçori, Josif Haxhi Mima, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Abdullah Rushit Ahmeti (Struga), Abdulla Koprëncka, Kristo Dako, Emin Haxhiademi, Selman Blloshmi, Andrea Konomi, Idhomenë Kosturi, Qemal Karaosmani, Kahreman Vrioni  etj.
”Delegatët – shkruan Mit-hat Frashëri në ditarin e tij- u mblodhën dhe kënduan letrat që kishin sjellë secilido prej klubit nga i cili dërgohej, pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari……”.

Kongresi me votë të fshehtë zgjodhi drejtuesit. Me 39 vota kryetar u zgjodh Dervish Biçaku, me 24 vota nënkryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri.

Sekretarë të Kongresit u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.

Ashtu siç ishte parashikuar, në Kongres u shqyrtuan tri çështje themelore: hapja e një shkolle Normale (pedagogjike); krijimi i një qendre të vetme për drejtimin, organizimin dhe financimin e shkollave shqipe;  bashkërendimin e veprimtarisë së klubeve shqiptare.
Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishte Rezoluta me 15 nene, që u miratua dhe u nënshkrua nga gjithë delegatët. Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte hapja në Elbasan e një Shkolle Normale (pedagogjike), e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla do të funksiononte me një rregullore të veçantë dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. Pikërsht në zbatim të vendimeve të këtij kongresi, më 1 dhjetor në Elbasan u hap shkolla Normale.

Kongresi vendosi gjithashtu që të krijohej në Korçë shoqëria qendrore e mësonjëtoreve shqipe “Përparimi” që do të kujdesej për mbajtjen e administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe për botimin e librave. Me qëllim që të ushtronte lirisht dhe pa pengesa veprimtarinë e saj, Kongresi kërkoi që Shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarish, duke kërkuar dhe ndihmën financiare të shtetit turk.

U ngarkua klubi i Manastirit, i cili u caktua si klub qëndror, për të nxjerrë lejen që gjuha shqipe të hynte zyrtarisht në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
Përmbushja e këtyre detyrave të shënonte themelimin e një sistemi kombëtar shkollor në Shqipëri dhe një hap të rëndësishëm në shndërrimin e të gjitha shkollave të huaja (turke ose në gjuhë të tjera) në shkolla shqipe. Vendimet e këtij kongresi patën rëndësi të madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe përbejnë  një kontribut të çmuar në drejtim të perhapjes së arsimit, gjuhës amtare e kulturës kombëtare.

Mbajtja e Kongresit të Elbasanit dhe vendimet e tij patën një jehonë të madhe brenda e jashtë vendit. Mjafton të përmendim gazetën “ Journal de Geneve”   të Zvicrës në të cilën shkruhej : “Në kongresin e shqiptarëve që u mbajt në Elbasan, u vendos organizimi i shkollave me themel gjuhën shqipe”

Duke ju kthyer edhe një herë fillimit të shkrimit, Kongresi Kombëtar i Elbasanit, që hodhi themelet e arsimit kombëtar shqiptar, duhet të kremtohet në 100 vjetorin e tij ashtu siç e meriton, me madhështi,  nga i gjithë kombi shqiptar. Që kjo të ndodhë  lypset kontributi dhe bashkëpunimi qysh tani i studiuesve dhe pushtetarëve vendorë të Elbasanit, pushtetit qëndror dhe në veçanti i Akademisë së Shkencave.

Ky kongres duhet të përkujtohet me të njejtën madhështi ashtu si dhe Kongresi i Manastirit, vazhdim i të cilit ai ishte.

__________________

* Mti-hat Frashëri : Ditar “Gjashtë javë në Shqipëri” botuar në Gazetën “Liria” 1909-1910